Osmani: Besa për mbijetesë?!… Harrojeni

0

Fatmir Efica

Pikërisht disa ditë më parë, kur Besa luajti një miqësore me Laçin në Kamzë dhe barazoi 1-1, me golin, më saktë eurogolin nga mbi 40 m largësi të mbrojtësit Ardit Osmani, futbollisti 20-vjeçar kavajas mori një ofertë nga Apolonia e Fierit. “E vlerësoj konsideratën e tyre, por unë kam një kontratë te Besa dhe nuk e “braktis” ekipin e vendlindjes kaq lehtë sa mund ta mendojnë. Madje, bashkë me shokët e tjerë të skuadrës e kemi quajtur këto ditë “çmenduri” idenë e ndokujt që mendon se Besa rrezikon rënien. Harrojeni“,shprehet posaçërisht për “Sport Ekspres” futbollisti. “Kemi vërtet një skuadër të re në moshë, por grupi ynë, sidomos gjatë këtij muaji të stërvitjeve intensive të kësaj periudhe dimërore, ka punuar shumë seriozisht për të përfituar shumë nga komponentët fizikë e tekniko-taktikë. Është kjo një arsye më shumë që ne të luajmë krejt shpenguar në të gjitha ndeshjet, si brenda, ashtu dhe jashtë fushës sonë. Pa na u dridhur aspak qerpiku për shkallën e lartë të vështirësisë që e dimë se do të kenë pa diskutim takimet e kësaj periudhe të dytë të këtij sezoni. Jemi përgatitur më së miri – qartëson Osmani – dhe garantojmë edhe tifozët tanë se skuadra do të jetë më e mirë nga ajo e gjysmës së parë të sezonit, ku në 13 ndeshje Besa arriti të sigurojë 13 pikë”.

KONKURENCA – Një arsye përse mbrojtësi Ardit Osmani e sheh Besën më të plotë e të përmirësuar në shumë tregues është konkurrenca thuajse për të gjitha postet e formacionit. “Ky është modeli më i mirë që të gjithë të jenë të motivuar e të sakrifikojnë fort nëse do t’u besohet fanella e titullarit, apo dhe në çdo rast kur do të përdoren si zëvendësues. Besa ka emër e traditë të madhe, pavarësisht faktit që për disa arsye të mënyrës së administrimit të klubit, skuadra nuk është në Superligë, por në kategorinë e parë. Skuadra e tanishme, me shumë futbollistë të rinj, por me shumë ambicie, po stabilizon bazament të shëndetshëm që t’i shërbejë ekipit të ketë pretendime maksimale sezonin e ardhshëm”, shton Osmani.

TRANSFERTAT – “Dy ndeshjet radhazi në Fushë Krujë me Ilirinë dhe në Pukë më Tërbunin janë për Besën dy transferta që i kemi vlerësuar si dy finale. Me të dyja këto skuadra në fazën e parë Besa i ka fituar ndeshjet me rezultatin e njëjtë 1-0, kështu që dhe në dy transfertat me të cilat rinis kampionati shkojmë me moral të lartë për të marrë maksimumin. E dimë që për të ruajtur epërsinë aktuale që kemi në renditje ndaj Ilirisë dhe pukjanëve duhet të mos gabojmë në këto dy sfida direkte. Them se futbollistët e stafi po bëjnë gjithçka që në këtë ndeshje, sikurse dhe në të gjithë të tjerat, Besa të tregojë një forcën e saj”, përfundon mbrojtësi kavajas.

 

  • 19 nga 27 ndeshje që ka pasur sezoni i kaluar ka luajtur me fanellën verdhezi mbrojtësi i majtë Ardit Osmani. Ndonjëherë është aktivizuar madje edhe si qendërmbrojtës.
  • ndeshje ka luajtur gjatë 13 javëve të gjysmës së parë të këtij sezoni Ardit Osmani. 4 të plota nga 90 minuta dhe në 3 të tjerat është përdorur si zëvendësues.    

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here