Organizim i detajuar, Skënderbeu në kushte perfekte

Skënderbeu udhëtoi nga Barcelona drejt Stambollit për t’u akomoduar në një nga hotelet pranë aeroportit “Attaturk”. Korçarët po qëndrojnë në një hotel me 5 yje dhe kjo lëvizje e menduar nga drejtuesit juglindor erdhi për të shmangur lodhjen e ekipit nëpër avionë, duke shtuar edhe fluksin e sezonit turisitik, ku lëvizjet janë më të shumta dhe mundësia për të siguruar biletat për gjithë ekipin së bashku është më e vogël se në ditët jashtë sezonit.

Gjithashtu klubi korçar ka menduar edhe një tjetër detaj, që është trafiku, madje këto ditë është edhe më i rënduar për shkak të protestave. Për këtë arsye është menduar që edhe ekipi të qëndrojë pranë aeroportit dhe ky problem mos t’i shqetësojë korçarët. Ekipi ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në një stadium të vogël me bar artificial, por në kushte të shkëlqyera.

Mikpritja e vendase ka qenë në nivele të larta, pasi Skënderbeu është jo pak i njohur në Stamboll, falë dhe përballjes në Europa League dy vite më parë me Beshiktashin.

Drejtuesit bardhekuq, për ditën e diel kanë siguruar stadiumin e duhur për trajnerin Daja dhe djemtë e tij, këtë herë me fushë me bar natyral, në mënyrë që ekipi të përshtatet me kushtet e fushës që do të luajë kundër Kairatit. Ekipi është gjithashtu në pritje të konfirmimit të vizave për në Kazakistan. Korçarët kanë bërë kërkese për t’u pajisur në mbërritje, por nuk përjashtohet që vizat të merren dhe në Stamboll. Me t’u pajisur me viza, ekipi do të fluturojë menjëherë për në Kairat, ku do zhvillojë seancat stërvitore, për t’u përshtatur me klimën dhe ndryshimin e madh të orarit, 4 orë diferencë me orën lokale në Shqipëri. Organizim i duhur për një klub kampion si Skënderbeu, i cili pret i qetë sfidën ndaj Kairat Almatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *