Optimizëm te Tirana, tani bëjnë gati edhe abonetë

Tirana po punon intensivisht për sezonin e ri futbollistik. Trajneri Ze Maria pret edhe një sulmues nga klubi për të përmbyllur merkaton, ndërkohë që mbetet për t’u parë nëse drejtuesit do arrijnë ta gjejnë në kohë një lojtar që të bëjë diferencën. Deri në kthimin e Ngo, me shumë mundësi në majë të sulmit do të luhet me Sentamu.

Dy miqësoret e para me Apoloninë dhe Flamurtarin e Prishtinës janë kaluar me sukses, ndërkohë që në klub ka optimizëm para sezonit të ri futbollistik. Afrimet e verës kanë bërë që të rritet ndjeshëm konkurrenca në skuadër dhe minimalisht kërkohet pjesëmarrja në kupat e Europës.

Dëshira e madhe është titulli. Në miqësoren e djeshme kundër Flamurtarit kishte goxha interesim, teksa tribuna kryesore ishte e mbushur me tifozë. Me fillimin e kampionatit pritet që ky numër të jetë disa herë më i lartë.

Ndërkohë në klub po punohet edhe për abonetë, që do të jenë në dispozicion jo vetëm për tribunën kryesore, por edhe për atë përballë. Burime pranë klubit bardheblu bëjnë me dije se shumë shpejt ato pritet të dalin në treg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *