Opinion/ Partizani ka nevojë për një Mentor!

0

Nga: Gjergji Stefa

Në 4 vitet e fundit, Mentor Mazrekaj, të paktën 4 herë ka shkuar në zyrën e presidentit i irrituar dhe jo pa mllef. “Më mirë iki, nuk më duan”. Presidenti e ka bindur për punë minutash të rikthehet në fushën e stërvitjes. “Këtë projekt e kemi nisur bashkë”. “Ok, por sidomos mediat më kanë shkatërruar! Nuk do flas kurrë për ta”. Pjesërisht të drejtë. Jeta e tij jashtë fushës shpesh ka konkurruar talentin e madh që zbarkonte sa herë ishte në formën e tij më të mirë fizike. Probleme personale, foto të publikuara nga jeta e natës, pamje mbipeshë nëpër plazhe dhe shumë zhurmë në lidhje me mënyrën se si “kalon kohën e lirë”. Herën e fundit që mendoi seriozisht të largohej nga Partizani ishte gushti i vitit të shkuar. Trajneri Sormani nuk po e llogariste si pjesë të skuadrës dhe e detyronte të stërvitej më shumë se 4 orë në ditë në mënyrë individuale. “Unë vrapoj vetëm në fushë, si mund t’i bie Liqenit 4 herë rreth e përqark”.
Meqenëse jeta është e mbushur me ulje e ngritje – futbolli ca më shumë – ishte e pritshme që një ditë gjithë ai talent nëpër këmbë do ta rigjente veten. Në një miqësore jo dhe aq luksi – e projektuar mesa duket për të parë se në çfarë gjendje është – ajo kundër Gabalës U21, shënoi gola njëri më i bukur se tjetri.

Kundërshtarët i driblonte si birila, ndërsa gjuajtjet ishin të thata, në kënde ku portieri kundërshtar e kish të pamundur të evitonte topin pas shpinës së tij. Djali plangprishës është rikthyer! Pikërisht në momentin kur Partizani ka më shumë se kurrë nevojë për klasin e tij. Ai dhe klubi, por më shumë presidenti – askush nuk ka besuar sa ai te Mazrekaj – shpreson që kjo të jetë “ngritja” e fundit” dhe “rënia” të mos ndodhë më.
Mazrekaj në 8 shkurt do të mbushë 28 vjeç dhe pa asnjë diskutim që pikëpyetja më e madhe është se si ka mundësi që një lojtar kaq i talentuar e ka kaluar jetën mes Prishtinës dhe Partizanit. Një fenomen i tillë në botën e futbollit duhet të ishte tjetërkund, perëndim ose lindje, me një llogari bankare pa asnjë diskutim me 6 zero pas euros së parë. Kjo nuk ka ndodhur dhe si ndodh zakonisht në jetë, përveç ndonjë rastësie, gjithkush duhet t’i gjejë përgjegjësitë te vetja. Në përgjithësi e ka menaxhuar veten keq. Regjim i cunguar, momente pushimi të gjata, një lloj nënvlerësimi në përgjithësi për futbollin. Herë pas here kokë fortë. Mazrekaj është një karakter i veçantë. Nuk është lideri klasik, njeriu i klaneve, që zgjohet dhe fle, duke menduar se si të krijojë pushtetin e duhur për të qenë në qendër të vëmendjes dhe për të përfituar sa më shumë para. Në përgjithësi ka qëndruar larg nga vendimet madhore në klub. Nuk ka qenë asnjëherë polemizues në publik me trajnerët, ndërkohë që në ekip të thonë se e sheh me këdo, nuk ka të preferuar fiks. Nuk i pëlqen shumë të flasë për futbollin, dhe trofetë apo karriera nuk është fiksimi i tij. Në Superiore ka 4 vite që luan, në sezonin më të mirë në 2014-2015 shënoi 8 gola, ndërkohë që në total ka shënuar 12 gola. Këtë edicion ka luajtur vetëm 9 minuta, për shkak të një dëmtimi të gjatë, dhe ky janar i shërbeu më mirë se kurrë për t’i dhënë karrierës së tij kolpon e fundit. Sipas të gjitha gjasave, rrugët jashtë Shqipërisë janë prerë dhe ky është moment që në 4-5 sezonet e ardhshme të shndërrohet në një ikonë të kuqe. Mazrekaj dhe Alban Hoxha kanë shkelur të parët në klubin Partizani pas rilindjes së 2013-ës. Që nga ajo kohë janë ndërruar disa drejtorë, disa trajnerë dhe dhjetëra lojtarë. Thuhet se ka qenë gjithnjë i preferuari i presidentit, jo sepse është “informator”, por sepse ka një lloj talenti dhe një lloj karakteri që shpesh e cilësojnë si një “garip”.

Dashuria e tifozëve për të ka qenë gjithnjë e madhe. Ai nuk është “show man”, nuk është njeri që ngjitet nëpër kangjella, nuk është nga ata që merr megafonët për të kënduar, nuk është kurrë njeriu i deklaratave që karikon mjedisin. Nuk e ka dërguar ndonjëherë nëpër mend të jetë kapiten, dhe kurrë nuk është grindur me asnjë kundërshtar apo me ndonjë gjyqtar. Në stilin e tij dëfryes të mënyrës si e konsideron futbollin, njerëzit pëlqejnë driblimin, pasimin dhe shpërthimin. Në ndonjë rast dhe disi karakterin unik. Skemat dhe taktika, udhëzimet dhe pozicionet, nuk hyjnë në repertorin e tij.
Jeta e tij në përgjithësi dhe karriera në futboll në veçanti, është njësoj si trajektorja e atij goli të pabesueshëm në derbin 2-2 kundër Tiranës në maj të 2015-ës, një ekzekutim që kushedi për çfarë u nis e kushedi pse përfundoi në këndin e sipërm të portës bardheblu. Ndokush do të donte që karriera e tij ishte një penallti e sigurt si ajo e të njëjtit edicion në fitoren 2-0 të Partizanit ndaj Tiranës, dhe tanimë 28 vjeç në këtë rikthim të rëndësishëm gjithkush është duke pyetur, nëse Mazrekaj ka vendosur të guxojë sërish me një gjuajtje “në kënd zero”, apo do preferojë “një gjuajtje të sigurt” nga penalltia. Ai ka marrë një vendim, një miks mes të dyjave. Jashtë natyrës së tij nuk del dot, por Partizani në këtë moment ka nevoje për një sforco pjekurie për të fituar trofeun e parë madhor të një projekti që e nisi së bashku me Alban Hoxhën dhe presidentin

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here