Opinion/ Nga Agostineli, te Ylli Hoxha

0

Saimir Demi

Me çfarë merret një trajner në Shqipëri? Puna kryesore e njerëzve të pankinave është menaxhimi i humorit të presidentëve, të cilët në të shumtën e rasteve janë brutal, por edhe të mbajnë në shina futbollistët, pasi një pjesë e madhe prej tyre kërkojnë të paguhen si profesionistë, për t’u sjellë si diletantë që sjellin vetëm probleme. Ndërkohë që trajnerët duhet të merren edhe me mediat, që në një përqindje të madhe përbëhet nga një përzierje fodullësh të lindur dhe mediokrish, të cilët bëjnë fodullin për të mbuluar paaftësinë. Dhe në fund fare, kanë pak kohë për të ushtruar edhe profesionin e tyre. Shikoni se çfarë spektakli është organizuar prej kohësh me Agostinelin. E kanë vënë në provë, duke ia bërë trysninë të papërballueshme, ndërsa gazetarët i numërojnë ndeshjet testuese një e nga një, me dëshirën e madhe që të dështojë, për të pritur më pas me kërshëri vendimin final të presidentit Takaj. Dhe çfarë pezmatimi, kur numri 1 i klubit korçar u tregua i logjikshëm dhe i besoi sërish. Sa nuk i kërkuan të largohej vetë, duke e trajtuar situatën si një lojë bixhozi, ku trajneri italian është bast i humbur. Ndërkohë që në këtë rrëmujë po humbet vetëm Skënderbeu dhe mjafton ta shohësh se si ka ndryshuar pamje.

Por asnjëherë halli nuk i ngjan hallit. Në Shkodër kthyen Armando Cungun, madje për të qenë të sinqertë, duke e lutur shumë. Më pas filluan t’i vënë objektiva që nuk i përshtateshin skuadrës, ndërkohë që për t’i shkuar budallallëkut deri në fund, vazhdimisht pyetej për kupat e Europës dhe kur Vllaznia do të synonte titujt e mëdhenj. Pikërisht kjo Vllazni, të cilës pasaporta e legjendës së dikurshme i është bërë aq e vjetër, saqë nuk mund ta identifikosh më nga fotografia. Ndërkohë që kur filluan të vinin rezultatet pozitive, kryesisht për hir të Cungut, u gjend një tjetër problem, madje tamam në prag të një ndeshje si ajo kundër kampionëve të vendit. Na u tha, se një futbollist, gati sa nuk është përleshur me trajnerit, pasi nuk po gjen një vend në grupin e titullarëve. Ylli Hoxha është ai që i mungon apelit të kampionatit dhe me të në fushë, ndoshta skuadra nga Shkodra mund ta arrijë Europën, por nuk do Cungu. Në fakt, nuk është e nevojshme të përdoren ironi, pasi kjo është vërtetë çështje, sepse tregon se sa e lehtë është, të nisësh të shkatërrosh një punë të ndërtuar me thonj… mjafton që dikujt t’i shkojë në mendje. A e dini se çfarë halli kishte trajneri i Flamurtarit, Gentjan Mezani, deri përpara dy-tri javësh? I lutej futbollistëve të tij të papaguar që të luanin seriozisht, duke shpresuar se një ditë do të mbërrinin para edhe në Vlorë. Dhe gjithçka, për të mos zhbërë gjithë atë punë, për hir të Flamurtarit që ndodhej në buzë të greminës, i rrethuar nga kritizerë e kundërshtarë, i bërë lanet edhe nga të tijtë. Ndërsa në Shkodër është mërzitur dikush dhe kanë vënë në target Cungun. A e dini se çfarë bën Gash Magani për hir të skuadrës? Herë pas here mban të stol (madje shpesh edhe pa të drejtë), të birin, Arturin, atë që i dha dje tri pikë shumë të rëndësishme. Sepse është trajneri i Teutës. Dhe mjaft më me pyetje, se janë disa gjëra që dallohen lehtësisht dhe nuk është e nevojshme t’i rrëfesh si gjetje. Tirana ka ndryshuar ndjeshëm, për hir të logjikës së Josës. Në fushë janë Mervile, Sise, Moise, Ruben Akuak (nëse nuk kam gabuar ndonjë gërmë) dhe Mireli me ta nuk ka as lidhje ngjyre, por siduket i shërbejnë, për të qenë konkurrues së bashku me skuadrën e tij. Ndërsa ka lënë në stol, për një arsye apo një tjetër, as më shumë e as më pak, por Muzakën, Gilman Likën dhe Vucajn.

Humbi prapë penallti Salihi dhe padyshim që duhet të largohet Agostineli, madje edhe nëse kjo do të ndodhë shpejt, sigurisht që nuk do të jetë ndonjë hata. Mënyra që kanë zgjedhur për ta larguar dhe futbollistët që nuk përgjigjen në fushë, ky po që është problem. Të gjithë i mbajnë mend, arsyet se pse kërkohej me urgjencë shkarkimi i trajnerit të Partizanit, Adolfo Sormani. Futbollistët pothuajse u rebeluan në heshtje, duke u kthyer në mëkatarë, ndërsa presidenti kishte ndërtuar një skuadër për të fituar tituj dhe në atë kohë nuk e kishte më mundësinë e merkatos. Tani ky ekip që ka filluar të reagojë sërish pozitivisht është pothuajse identik me atë që çedonte deri në mërzi. Mazrekaj nuk luan as në formacionin e Starovës, ndërsa tifozët nuk e kërkojnë më me banderola. Fili vazhdon të jetë në stol, Kalari dhe Ibrahimi janë njëlloj titullarë dhe kapiten, Albani. Ndryshimi i vetëm është Sormani i larguar. Atëherë, pyetja e fundit që më ka munduar, pas këtij grumbulli gërmash të radhitura: Çfarë ka tepër dhe mangut futbolli i tanishëm i vendit, madje e di edhe përgjigjen? Duhet larguar menjëherë Agostineli, që të biem rehat dhe të fillojmë të merremi me ndonjë tjetër, si dhe Vllaznisë i duhet kthyer Ylli Hoxha… dhe jemi në rregull.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image