Olsi Teqja, edhe Laçi në garë për të?

Te Laçi lëvizja e vetme në hyrje është ajo e Besnik Prengës si trajner, pa llogaritur të rinjtë që ishin huazuar vjet dhe që do të rikthehen me ekipin. Vëmendja për momentin është fokusuar tek afrimi i lojtarëve të afirmuar nga brenda apo jashtë vendit. Sigurisht do t’i besohet edhe trajneri Prenga, i cili ka trajnuar më parë në Kroaci dhe tregun e atjeshëm dhe lojtarët i njeh më mirë. Normalisht që mes tij dhe presidentit Pashk Laska ka pasur bisedime, madje janë marrë në konsideratë edhe emra të përveçëm, por deri më tani nuk ka marrëveshje me asnjë.

OBJEKTIVI KRYESOR – Me largimin e Harallamb Qaqit, të cilit i përfundoi kontrata, alternativat për mbrojtjen janë të pakta. Është tentuar të gjendet zgjidhje në Kroaci, por akoma nuk ka ardhur, ndërkohë që edhe largimi i Shtubinës pakëson zgjedhjet për trajnerin Prenga, nisur nga fakti që për momentin shkodrani Abdurrahman Fangaj është i detyruar të luajë në krahun e djathtë të prapavijës. Lulajt i ka mbaruar huazimi dhe ende nuk dihet e ardhmja e tij, ndërkohë që vetëm Gjoni mbetet nga titullarët e vjetshëm. Në ekip është edhe i riu Amer Duka, i cili ka luajtur me ekipin e 19-vjeçarëve sezonin e shkuar. Së fundmi “RTSH Sport” ka bërë me dije se në “radarët” e Laçit është edhe mbrojtësi Olsi Teqja, i cili u largua së fundmi nga Shkëndija e Tetovës. Në edicionin e djeshëm të lajmeve raportohej se futbollisti në fjalë është një kërkesë e trajnerit Prenga. Deri më tani gjithçka është në kuadrin e fjalëve.

PËRGATITJET – Koha e pushimeve ka mbaruar. Nesër kurbinasit do të zbresin në fushën e blertë për të nisur përgatitjet për ndeshjet e Evropës. Futbollistët do të kenë mundësinë të njihen me trajnerin e ri dhe stafin e tij, ndërkohë që tifozët presin cilat do të jenë risitë. Të gjithë presin të mësojnë se cilët futbollistë mbeten pjesë e skuadrës, si dhe kush janë ata të rinj që janë vënën nën urdhrat e trajnerit Prenga. Shumë pikëpyetje marrin përgjigje nesër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *