Olsi Rama zbulon detajet: Gjyqtarët, e drejta televizive dhe presidenti…

Olsi Rama ishte përfaqësues i Partizanit në mbledhjen e organizuar sot në formimin e Ligës Profesioniste. Rama tregoi për mediat disa nga pikat që kishin diskutuar, ku nuk mund të mos përmendte situatën me gjyqtarët, apo kontratën për të drejtën televizive.

Drejtor, cilat ishin disa nga pikat që hasët vështirësi?
Nuk patëm ndonjë vështirësi, ne kishim sjellë disa mendime në projektin e paraqitur, të cilat u diskutuan dhe u panë me vëmendje, pasi gjithçka duhet të bëhet konform dispozitave të rregullave të UEFA-s dhe FIFA-s. Liga do të jetë një shoqatë që do të anëtarësohet në Federatë dhe të gjitha, duke nisur nga statuti dhe akti i themelimit duhet të jenë konform rregullores së UEFA-s, pasi ne nuk mund të bëjmë gjëra ndryshe nga se janë  rregulloret që më pas mos të pranohen nga instancat më të larta. U gjet një gjuhë e përbashkët, për të pasur një organizim sa më efiçent në të ardhmen.

Zoti Libohova ishte një propozim i juaji?
Jo nuk ishte një propozim i imi, ishte edhe i të tjerëve.

A mos është një tregues se klubet e kanë të vështirë për ta drejtuar vetë Ligën dhe duhet të jetë një i Federatës?
Zoti Libohova ka qenë i ngarkuar si nismëtar. Në statut ishte parashikuar që të mos ketë persona nga klubet, për arsye se në situatën ku ne jetojmë mund të krijonte një ngërç në raportet me klubet e tjera. Duke qenë se është një person që e njeh futbollin, ishte propozimi më i natyrshëm për të filluar këtë punë.

Cilat kanë qenë amendamentet që ju keni propozuar?
Në përgjithësi kishin të bënin me garantimin e një dige që do të funksiononte në mënyrë sa më të pavarur nga FSHF, duke marrë parasysh ato kanale që i lidhin në mënyrë organike me Federatën. Është komisioni i arbitrave, i cili sipas propozimeve që u bë do të ketë imput nga Liga dhe nga disenjatori që do të caktohet. Këto janë gjëra që do të sqarohen më pas nga një marrëveshje që do të bëjë Liga me Federatën.

Lista e arbitrave do të propozohet nga Liga apo do të jetë sërish nga FSHF-ja?
Shoqata e arbitrave është e pavarur. Arbitrat duhet të çertifikohen, duhet të kalojnë të gjitha kategoritë që ju të gjithë i dini. Ideja është që Liga të ketë imputon e vet, duke caktuar disenjatorin, i cili do të caktojë gjyqtarët për ndeshje e Ligës.

Çfarë do të ndodhë me të drejtën televizive, pasi kontrata është afatgjatë?
Një nga elementët kryesor të organizimit të Ligës është ideja për të marrë të drejtën komerciale dhe një prej tyre është e drejta televizive. Është shumë e rëndësishme që të marrë një emër dhe jo vetëm Superliga. Të ketë një sponsor gjeneral, çka do të ndihmonte në arkën e çdo ekipi. E drejta televizive është e firmosur nga Federata dhe do të transferohet, ende nuk e di se ku juridikisht dhe kush mund të jenë kompetencat e Ligës për ta diskutuar këtë kontratë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *