“Old Firm” is back, në Gllasgou tani kanë frikë!

 

Falimentimi dhe tranzicioni i Rejnxhërs ka mbaruar, edhe pse hendeku me Selltik është ende i madh. Tifozët po mundohen të riorganizohen dhe të dielën politika dhe urrejtja u shfaq në disa forma

Speciale Anton Cicani

Atmosfera në Gllasgou ka ndryshuar. Pas vitesh anonimitet, si pasojë e falimentimit më parë dhe rilindjes në vijim, Rejnxhërs pak nga pak po kthehen konkurrues, edhe pse hendeku me Selltik duket thuajse i pakalueshëm apo kapërcyeshëm.

https://www.youtube.com/watch?v=NWfV9vR5r5k

Derbi i të dielës së shkuar ishte ndoshta demonstrimi më i qartë i asaj që po ndodh në tokën e martirëve, të legjendave urbane dhe misterioze si Përbindëshi i Loknesit, cyrrleve, tërfilit por sidomos e heroit Uilliam Uollas… Në Skocinë e largët, futbolli është kryefjalë dhe kombëtarja është një ritual që duhet respektuar brez pas brezi, mes veshjes karakteristike, birrave, ndonjë panine dhe britmave në stadium. Por, qyteti i Gllasgout jeton sidomos sepse brenda tij zien derbi më i njohur në botë: The Old Firm, ose ndryshe “Ndërmarrja e Vjetër”…

Duke iu kthyer përballjes – dhe në këtë rast ia vlen të shkruhet me “P” të madhe – ajo që ndodhi në “Ibrox Stadium” ishte diçka e pabesueshme… Rejnxhërs, përpara tifozerisë së saj, dy herë në avantazh, ishte e paaftë që të përmbante furinë ofensive të rivalëve dhe u detyruan që të kapitullojnë pavarësisht një lojtari më shumë, duke qenë se bardhejeshilët mbetën ishin në inferioritet numerik. Dhe, sikur kjo të mos mjaftonte, gabimi pranë portës i Morelos fare pranë portës tregoi se ndoshta nuk është ende momenti që diferencat të anulohen. Kështu, 3-3 nuk ka ardhur, teksa Selltiku fitoi edhe njëherë, duke u tallur me kundërshtarët.

Po atëherë, pse duhet të ketë diçka ndryshe në krahasim me sfidat e viteve të fundit nëse në fund të fundit “Old Firm” e fituan bardhejeshilët? Përgjigjia është e gjitha në dy skena që janë përjetësuar në fytyrat e më shumë se 50 mijë tifozëve që kanë populluar tribunat e “Ibrox”.

Nga një anë Leig Grifits, sulmuesi i kombëtares skoceze dhe i Selltikut, që zgjodhi të ndjekë ndeshjen në mes të tifozëve duke parë dëmtimin që po e mban jashtë fushave. Pak minuta pas golit të 2-3 final, futbollisti u kap teksa, i ngriutr në këmbë mbi një parmak, valëvit flamurin e Irlandës.

Sigurisht, dihet binjakëzimi dhe lidhja e ngushtë mes Selltikut dhe komunitetit irlandez dhe dihet edhe pse rivaliteti mes Gllasgout të lyer në të blu dhe ai i lyer në të gjelbër, është kaq i ndezur… Por, gjesti i Grifits është diçka e ekzagjeruar.

Si mundet një nga futbollistët më të rëndësishëm (në nivel imazhi) i gjithë Skocisë, të mbajë krenar flamurin e Irlandës? Si mund ta bëjë duke qenë se mijëra tifozë të tij përpara se të mbështesin Selltikun, Rejnxhërsin, Matheruellin apo Aberdinin, janë përpara së gjithash skocezë?

Gjesti i tij, edhe pse në dukje të parë shumë i padëmshëm, rrezikon që të ndezë dhe thellojë më shumë kanalin e një rivaliteti që në vetëvete ndihet nga çdo pore. Shpesh thuhet që janë futbollistët ata që duhet të japin shembullin.. Grifist krijoi një precedent të rëndësishëm, që mund të sjellë si pasojë një sërë sjelljesh të ngjashme nga kolegët rivalë, duke rritur kështu pakënaqësinë mes tifozerive.

Nga imazhet dhe fotografitë e shpërndara, përveç motivimit, mbështetjes, pasionit dhe folklorit të tifozëve, disa në veçanti kanë krijuar disa polemika në nivel mediatik: si dallohet nga imazhet, radhët e para të kortezhit përbëhen nga persona që kanë mbuluar fytyrën me kapuça dhe shaj, por sidomos me ngjyra të errëta. Bie nw sy dhe se shumica janw adoleshentw, qw kanw nisur tw ndjekin Rejnxhwrs pikërisht tani mes problemeve. Në kontronon e kortezhit janë shfaqur dhe duar të ngritura lart, përshëndetje romane dhe mesazhi i një pankarte: “Goodnight Green & White”, pra “Lamtumirë Jeshile dhe e Bardhë”, me imazhin e një tifozi të Selltikut të marrë me shqelma.

Motivi i të gjitha këtyre zgjedhjeve, të vendosura në aspektin politik, janë të identifikueshme në faktet e ndodhura përpara ndeshjes. Përpara derbit, policia i ka mohuar Union Bears kortezhit (që u zhvillua sidoqoftë, për këtë arsye shumë fytyra ishin të mbuluara) dhe më pas provokimi i tifozëve të Selltikut, që një natë përpara ndeshjes kanë tentuar që të lyejnë me bojë muret që të çojnë në “Ibrox” por janë kapur në befasi nga një grup tifozësh së Rejnxhërsit, që u mblodhën menjëherë në afërsi.

“Goodnight Green & White” i referohej “Goodnight left side”, një moto e përdorur nga shumë grupime të së djathtës ekstreme, në referim me antagonistët dhe anëtarët e grupeve të së majtës ekstreme.

Pra, kontorno e kësaj “Old Firm” ishte sërish një shfryrje tensioni, por është vetëm antipasta e asaj që do të ndodhë. Rejnxhërs, pas ferrit dhe purgatorit (sigurisht jo atij të Dantes), janë duke u kthyer konkurrues dhe tifozët po përpiqen që të riorganizohen. Rivaliteti, politik apo fetar duket, duket se është gati që të jetojë një epokë të re, më moderne në disa pika, por që e mbushur me urrejtje dhe dhunë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *