Okelian Baze lë Superioren për… Egnatian

Fatmir Efica

Bashkë me afrimin e startit të kampionatit të ri 2017-18, Egnatia që rikthehet pas 13 sezonesh të luajë në këtë kategori, nuk rresht së “vrapuari” në lidhje me shtimin e numrit të përforcimeve të saj. Duket një rast disi i veçantë fakti që mesfushori lushnjar Okelian Baze, “braktis” luajtjen në Kategorinë Superiore dhe rikthehet të jetë përsëri pjesë e kategorisë së parë. Ka mbërritur te Egnatia fundjavën e kaluar duke dalë në stërvitje me ekipin rrogozhinas ku mendon se gjithçka do të ecë mirë e bukur. Bëhet pjesë e një ekipi dhe në një ambient, që falë shumë futbollistëve të tjerë myzeqarë që kanë luajtur e luajnë te ky ekip, do të arrijë të përshtatet fare shpejt. Rasti e don mbase që të debutojë direkt në një ndeshje zyrtare. Këtë mesjavë Egnatia do të presë në Kupën e Shqipërisë Kukësin kampion nga Kategoria Superiore dhe kjo mundësi aktivizimi për Okelian Bazen duket ideale, madje është e tillë për të mos u humbur, ndoshta jo nga minuta e parë por duke u përdorur si zëvendësues.

KARRIERA – Duke qenë se ka luajtur deri tani me pesë skuadra të ndryshme, Baze duket si një futbollist me “pesë yje”. Spikat në karrierën e 26-vjeçarit lushnjar, aktivizimi sistematik. Një element ky që dëshmon se i përket atij tipi lojtari që derdh në fushë energji maksimale. Lushnja, Kamza, Pogradeci, Butrinti, Tërbuni e së fundmi Egnatia. Baze nis një eksperiencë të re, pse jo për të luajtur sa më shumë e për të realizuar edhe synimet që ka skuadra rrogozhinase.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *