Offor Godsvill: I lumtur për aventurën e re

0

Me Skënderbeun janë bashkuar dje 3 futbollistët e rinj, që do te shihen me kujdes nga trajneri Josa. Flet sulmuesi, i cili mendohet të jetë zëvendësuesi i Olayinkës

 

Leonard Trebicka

 

Tre nigerianët e premtuar prej ditësh kanë mbërritur tashmë te Skënderbeu. Ata kanë zbarkuar dje në aeroportin “Nënë Tereza” dhe më pas janë bashkuar me Skënderbeun në Durrës. Oto John (17 vjeç), mesfushor me tipare sulmuese, Offor Chinonso Godsvill (18 vjeç) sulmues dhe Riëan Adeshina (18 vjeç) sulmues janë tre lojtarët e rinj të vënë nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa, pasi kanë kryer testet mjekësore. Drejtroi sportiv i klubit, Haris Fakiç, i cili i ka zgjedhur vetë në Nigeri, i ka shoqëruar dje tre futbollistët nigerianë për në “Tropikal”. Ishte vetëm dita e parë dhe është e vështirë për të thënë një fjalë përfundimtare, paçka se duken se janë lojtarë me vlera. Takimin e parë nigerianët e kanë pasur me Peter Olayinkën, patriotin e tyre, që do t’u thotë lamtumirë bardhekuqve pasi do të kalojë te Genti në Belgjikë. Drejtori sportiv Fakiç ka deklaruar dje se këta janë vetëm tre nigerianët e parë , kurse katër të tjerët do të vijnë më vonë. “Prisni, do të ketë të tjera afrime te Skënderbeu, por dalëngadalë do t’i zbulojmë emrat. Tani tre të parët janë nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa, i cili do të vendosë”, – tha shkurt Fakiç për gazetën. Në mbrëmje vonë, njëri prej nigerianëve, pikërisht Offor Godvsill, i cilësuar si “sozia” e Peter Olayinkës, ka folur ekskluzivisht për “Sport Ekspres”, duke dhënë këtë intervistë:

– Offor, së pari ju urojmë mirëseardhjen në Shqipëri! Mund  të na thoni diçka për veten?

– Ju përshëndes dhe ju falënderoj për intervistën. Kemi vetëm pak orë që kemi mbërritur në Shqipëri bashkë me shokët e tjerë nga Nigeria. Unë vij nga Lagos dhe kam qenë pjesë e Real Sapphire.

– Cilat janë përshtypjet e para nga Shqipëria?

– Eshtë hera e parë që vij në Shqipëri. Jam 18 vjeç e gjysmë dhe është hera e parë që largohem nga Nigeria. Kur mësova se do të vija në Shqipëri, u përpoqa të mësoja diçka për vendin tuaj, por nuk di çfarë të them, pasi sapo e kam prekur dhe më duhet të ambientohem. Për momentin ndodhemi në resortin “Tropikal”, në Durrës.

– Ndërkohë, keni zhvilluar edhe stërvitjen e parë me Skënderbeun. Si jeni ndjerë?

– Të them të drejtim, u ndjeva shumë mirë. Trajneri i Skënderbeut mu duk shumë miqësor, po ashtu edhe futbollistët. Të gjithë na pritën mirë dhe i falënderoj.

– E dini që jeni te Skënderbeu për të qenë zëvendësuesi i Peter Olayinkës?

– E takuam edhe Olayinkën, madje kam dijeni për të, pasi është një lojtar shumë i mirë. Kam ardhur te Skënderbeu për të qenë Offor Godsvill dhe jo dikush tjetër. Do të jap maksimumin dhe për këtë ju garantoj. Ditët në vazhdim do të më shikoni.

– Përse zgjodhët Skënderbeun në Shqipëri dhe jo një ekip tjetër?

– Shumë futbollistë nga Afrika kanë qenë në një turne për disa muaj, ku isha edhe unë pjesëmarrës. Sigurisht, dikush nga klubi juaj më pëlqeu dhe ja ku jam tani. Tani më mbetet të justifikoj besimin që më është dhënë dhe premtoj më të mirën për Skënderbeun. Jam i lumtur që tani, edhe pse është vetëm fillimi.

– E njihni Skënderbeun apo nuk keni dëgjuar ndonjëherë për të?

– Në momentin që mësova për këtë skuadër, e kam parë në internet. Eshtë skuadër kampione dhe që këtë vit ka bërë emër edhe në Europë. Ndjehem shumë i lumtur që jam këtu. Madje, këtu do të mësoj shumë.

– Keni diçka për të shtuar?

– Momentet e para janë të mira për mua. Shpresoj që kështu të vazhdoj edhe në të ardhmen. I falënderoj të gjithë ata që më pritën vërtet mirë dua të punoj për të treguar kush jam.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here