Ofertë rumune për Telushin

Bruno Telushi mund të largohet këtë verë nga Partizani. Mesfushori vlonjat ka marrë një ofertë serioze nga Rumania, mëson Sport Ekspres.

Bëhet fjalë për klubin e Ligës 1, Botoshani, që në sezonin e shkuar e mbylli në mesin e tabelës, duke mbijetuar pa probleme.

Megjithatë, Botoshani duket se kërkon të përforcohet për të tentuar kupat e Europës dhe Telushi është një nga emrat që ka pëlqyer në merkato.

Mesfushori do ta pranonte me kënaqësi kalimin në Rumani, por është problem kontrata me Partizanin. I kthyer në janar nga kampionati kroat, Telushi ka firmosur edhe për sezonin e ardhshëm.

Në një moment kur është larguar Batha dhe ka kërkuar të largohet edhe Trashi, Partizani është bosh në mesfushë, ku janë vetëm Telushi e Mala nëse largohet Trashi. Me Europa League në horizont, Partizani nuk ka kohë që të bëjë ndryshime të mëdha dhe për momentin nuk e lë të lirë Telushin. Edhe Botoshani nuk ka ndërmend të paguajë, sepse në Rumani klubet që nuk luftojnë për titull operojnë vetëm me transferime falas. Gjithsesi, pas Europa League, nëse gjërat nuk ecin mbarë dhe në gusht Partizani është jashtë Europe, Telushi mund të largohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *