Oferta e çuditshme/ Reali sakrifikon të pabindurin serb që ia solli menaxheri shqiptar dhe para, për…Fabian Ruiz

Në futboll nuk mjafton vetëm talenti, pasi sjellja mund të kushtojë shumë. Shembulli më i mirë është futbollisti serb, Luka Joviç, i cili me veprimet e tij ka hapur shumë telashe. Thyerja e karantinës dhe fluturimi në Beograd për të festuar ditëlindjen e të dashurës së tij krijoi pafund polemika, madje presidenti Vuçiç theksoi se rrezikonte edhe burgun me sjelljen e tij. Ndërkohë edhe në fushën e lojës nuk ka lënë gjurmë këtë sezon, edhe pse erdhi me një bujë të madhe nga Frankfurti, ku shkëlqeu një sezon më parë. Menaxheri i njohur shqiptar Fali Ramadani ishte pikërisht ai që e bëri të mundur këtë transferim rekord për një futbollist serb, pasi “los blancos” paguan plot 60 milionë euro për shërbimet e tij.

Por nëse të gjithë mendonin se kartoni i Luka Joviç  do rritej, e kundërta ka ndodhur. Sjellja e pabindur ka bërë që Reali ta përdorë për të arritur objektivin e tij këtë merkato, që është Fabian Ruiz. Futbollisti i Napolit ka nisur t’i rendisë klubet e mëdha europiane pas vetes, por De Laurentis nuk ka ndërmend ta lëshojë për më pak se 60 milionë euro. Duke e ditur këtë fakt, Reali ka ndërmend të paraqesë në tryezë një ofertë që përmban emrin e Joviç dhe para shtesë, duke e vlerësuar kështu serbin me një çmim më të ulët se ai që pagoi për të sjellë në Spanjë./Sport Ekspres/