Objektivat e merkatos, Ngo dhe të rinjtë: Halili e Mema bëjnë një plan

Tirana e sezonit të ri tentohet të ndërtohet për titull. Kështu u mendua edhe verën e shkuar, por gjërat nuk shkuan si duhet dhe bardheblutë rrezikuan qëndrimin në Kategorinë Superiore. Përsëritje e një kampionati të tillë sërish nuk dëshirohet nga askush dhe Tirana e re nis nga trajneri Ardian Mema.

Këtë herë ai do të ketë mundësinë ta ndërtojë vetë ekipin, sigurisht së bashku me drejtorin sportiv Arbi Laçi. Sikurse raporton Supersport, të dy kanë pasur një takim edhe me presidentin Refik Halili, i cili është i gatshëm të vërë në dispozicion një buxhet edhe më të lartë se një vit më parë.

Kërkesat e merkatos pritet të plotësohen dhe momentalisht janë disa emra në listën e objektivave. Idriz Batha, Elton Kale dhe Agustin Torasa janë objektiva. Mema i njeh mirë, pasi ka punuar me ta edhe te Flamurtari, ku e nisi sezonin e shkuar si zëvendës trajner.

Sigurisht fatura financiare për këta lojtarë është e madhe. Gjithsesi presidenti Halili ka garantuar se do mundohet maksimalisht të plotësojë kërkesat e merkatos. Momentalisht nuk ka asnjë afrim në ekip, por shumë shpejt do të nisin edhe lëvizje në hyrje.

Doka (d), Çelhaka, Ismailgeci (m) në stërvitjen e Tiranës.

RINOVIMET DHE TË RINJTË – Majkëll Ngo është lojtar i lirë dhe për klubin është prioritet rinovimi i kontratës me të. Sulmuesi anglez, edhe pse është një karakter i vështirë, shikohet si një element që mund ta ndihmojë shumë skuadrën. Kampionatin e njeh, lojën e skuadrës po ashtu, ndaj edhe pritet një përgjigje e Ngo për kontratën e re.

Nga Tirana ka edhe largime, teksa Mauexhe, Sentamu, Oduamadi dhe Atinga e kanë mbyllur me bardheblutë. Uinful Kobina është i vetmi që “kalon klasën”, ndërkohë që ka një plan edhe për të rinjtë.

Trajneri Ardian Mema e ka pranuar se duhet t’u kishte dhënë më shumë hapësira dhe emra si Marsel Ismajlgeci, Ernest Muçi dhe Jurgen Çelhaka do të jenë në fokus dhe do të angazhohen gradualisht në lojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *