Obamejang: Jemi njerëz, në finale shkohet vetëm kështu!

Pierr Emerik-Obamejang shënoi një gol me shumë vlera për Arsenalin, që mposhti Valencian në gjysmëfinalen e parë në Europa League. Londinezët duan ta fitojnë këtë trofe dhe të sigurojnë pjesëmarrjen në Champions. Pas ndeshjes, për BT Sport sulmuesi i ka bërë një analizë paraqitjes së skuadrës së tij.

“Uroj që goli i tretë të jetë i rëndësishëm. Nuk e nisëm mirë, por reaguam më pas dhe mendoj se luajtëm mirë. Ishim pak nervozë në fillim, pasi kemi humbur në tre ndeshjet e fundit. Kjo është normale mendoj, fundja jemi njerëz. Gjithsesi më pas reaguam shumë mirë”, u shpreh fillimisht Obamejang.

Më tej ai theksoi se i kanë shanset ta fitojnë trofeun. Gjithsesi si fillim duhet arritur kualifikimi në finale: “Kemi shumë cilësi në këtë grup dhe mund të shkojmë në finale. E dimë që ndeshja tjetër do të jetë e vështirë, por nëse paraqitemi si sot, mendoj se do të kualifikohemi”.

“Është objektivi ynë të shkojmë në finale dhe të fitojmë këtë trofe. Është një mundësi për t’u kualifikuar në Champions dhe ne e dimë këtë. U ndalën në gjysmëfinale vjet, por kemi mësuar nga gabimet e sezonit të shkuar dhe shpresojmë që këtë herë nuk duam të bëjmë të njëjtën gjë. Do japim gjithçka për t’u kualifikuar në Champions League”, përfundoi sulmuesi deklaratën e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *