“Nuk pranoi të vinte, askush nuk është Mesi”! Grezda reagon për fjalët e Rejës

Në konferencën e fundit për shtyp nga ana e trajnerit Reja në prag të ndeshjes së radhës me Andorrën, është folur edhe mbi tema delikate. Kështu, tekniku italian ka folur hapur mbi rastin e Eros Grezdës.

Shumë polemika ka pasur me futbollistin e Rangersit, që muaj më parë u largua nga grumbullimi pasi kërkonte vendin e sigurt në formacion. “Unë luaj me Rangersin”, ishte justifikimi dhe mënyra sesi Grezda kërkonte një vend titullari te Shqipëria.

Të drejtë kishte vetëm në aspektin teorik, pasi Grezda nuk ka luajtur kurrë me ekipin e parë të skocezëve. Ndërkohë në konferencën e sotme, Reja është shprehur se ky sulmues nuk e ka pranuar ftesën e Shqipërisë dhe askush nuk është Mesi. Pikërisht mbi këtë çështje ka reaguar edhe vetë Eros Grezda.

“Për korrektësi dhe për informimin e saktë të gjithë tifozëve, më duhet të sqaroj polemikat e krijuara rreth emrit tim. Për grumbullimin e tanishëm për dy ndeshjet e rradhës, unë s’kam pranuar asnjë ftesë zyrtare ose ndonjë telefonatë nga federata apo trajneri i kombëtares.

Sa më përket mua personalisht, kam qenë, jam dhe do të jem gjithmone i gatshëm të përfaqësoj popullin tim dhe të mbroj ngjyrat kuq e zi”, ka thënë Grezda. /Sport Ekspres/