Nuk kuptohet as me 10 përsëritje, Jemini për Laçi-Kukësi: Më duket penallti, pastaj…nuk duket ashtu

Në javën që lamë pas arbitrat u kthyen në qendër të polemikave në Superiore për disa vendime të dhëna. Kulmi ishte te penalltia e shënuar e Nabuezes, teksa Olsi Teqja ka kapur topin me dorë në zonë. Pikërisht ky moment vendosi edhe fitoren e Laçit me rezultatin 1-0 ndaj Kukësit.

I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv”, ka qenë edhe Lorenc Jemini. Ky i fundit e ka parë 10 herë përsëritjen e pamjeve të atij rasti, ashtu siç edhe çdo i ftuar tjetër në studio, por pa dalë menjëherë në një përfundim.

“Është e vështirë kjo situatë pasi nuk kemi një pamje të duhur. Aty janë 6 arbitra dhe e kanë parë më mirë. Në fillim më duket si penallti, pastaj nuk më duket kështu. Por më bën të mendoj se është penallti, pasi Teqja e tërheq menjëherë dorën pasi e kap topi. Me rregullat e reja të kampionatit ka 11-metërsh nëse topit kapet me dorën e rënies dhe mbështetjes”, ka thënë Jemini. /Sport Ekspres/