“Nuk kisha para as për bukë”, Olajinka rrëfen rrugëtimin në futboll

“Dua të jem në një klub të madh në pesë vitet e ardhshme. Do të ishte nder i madh nëse do të isha pjesë e Nigerisë në Botërorin e vitit 2022”. Këto janë dëshirat e një sulmuesi, i cili në vendin tonë njihet mirë, pasi arriti të mahniste me driblimet dhe golat e tij.

Peter Olajinka ishte adoleshent kur zbarkoi në Shqipëri. Bylisi, një klub që asokohe u bë një strehë për shumë nigerianë, i krijoi mundësinë lojtarit të hidhte hapat e parë në futbollin profesionist. Tashmë 23 vjeç, sulmuesi është pjesë e Slavia Praga në Çeki, klub që për kartonin ka paguar 3.2 milionë euro.

Nigeriani së fundmi ka dhënë një intervistë për “Pulse Sports” dhe tregon fillimet e tij në futboll, vitet kur nuk kishte as para për të ngrënë dhe për të shkuar në stërvitje. Shumë vuajtje për të, derisa siguroi një vizë për të ardhur në Shqipëri.

“Dikur isha një lojtar rruge, kurrë nuk e mora seriozisht derisa takova një trajner që quhej Mr. John Takpe. Ai më mori në ndeshje dhe më bëri të besoj se duhet të punoj jashtëzakonisht shumë që të jem në nivele të larta në futboll. Që atëherë u përkushtova shumë te stërvitja”, tregon sulmuesi.

Më tej ai vijon me rrëfimin: “Ishte shumë e vështirë për mua. Nuk kisha para të bleja këpucë futbolli, madje as para për të ngrënë apo për të shkuar në stërvitje. Vazhdova të punoj fort dhe të besoj. Pastaj mora një vizë për të shkuar në Shqipëri. Nuk e dija se do të ishte e vështirë, kështu që firmosa me Bylisin kur isha 16 vjeç. E nisa me moshat dhe gjashtë muaj më pas u bëra pjesë e ekipit të parë”.

Kam luajtur disa ndeshje dhe më pas isha në sytë e të gjithëve në vend. Në fund të sezonit shkova në huazim në Qipron e Veriut për një vit dhe më pas iu bashkova ekipit më të mirë në Shqipëri, që ishte Skënderbeu. Atë periudhë fitova titullin kampion dhe patëm shansin të luanim në Europa League dhe ndodhte për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar. Për këtë jam shumë krenar”.

TRANSFERIMET – Skënderbeu na janar të vitit 2016 pranoi ofertën e Gentit dhe përfitoi rreth 1 milionë euro nga transferimi i sulmuesi. Asnjë minutë në fushë për belgët dhe shumë zhgënjim për Peter Olajinka. Dëmtimi në fazë e penalizoi, por edhe pas rikuperimit Genti mendonte se nigeriani nuk ishte ende gati.

“Isha shumë i zhgënjyer, por nuk kisha zgjedhje tjetër veçse të huazohesha. U bëra pjesë e Dukla Praha dhe atje shënove 6 gola e dha tre asiste në 29 ndeshje. Pas përfundimit të sezonit më thanë se duhet të huazohesha sërish. U ndjeva i zhgënjyer, pasi po shpresoja të luaja me Gent.

Vendosa të qëndroj në Belgjikë në huazim, Zulte Varegem më pranoi në huazim dhe aty pata një sezon fantastik. Shënova 11 gola dhe dhashë 15 asiste në 41 ndeshje. Genti më donte pastaj në ekip, por pastaj pati shumë oferta për mua. Slavia Praga ishte më e interesuar për mua. Mendova së është mirë për mua në Pragë, pasi kisha luajtur edhe më parë dhe do të ishte më e lehtë të përshtatesha, kështu vendosa t’i bashkohem Slavia Pragës në Çeki”, përfundon Olajinka.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *