“Nuk kam shpresa se shteti do merret me sportin”, Redi Jupi: T’i harrojmë pushimet dhe të bashkojmë sezonet

Shqipëria prej më shumë se dy javësh është e izoluar për të parandaluar një skenar si ai i Italisë të ndodhë në vendin tonë për shkak të koronavirusit. Së bashku me jetën si e njohim ne është ndalur edhe futbolli, që po has me vështirësi të mëdha në aspektin ekonomik. Klubet shqiptare kanë një buxhet të vogël në dispozicion dhe për këtë arsye kanë kthyer sytë nga qeveria në mënyrë që të marrin një kompensim për këtë periudhë delikate.

Ndërkohë në lidhje me situatën aktuale që futbolli shqiptar po kalon si pasojë e kësaj pandemie ka folur edhe ish-lojtari i njohur Redi Jupi. Në një lidhje me emisionin “Studio Sprint”, ish-trajneri i Shpresave të Shqipërisë ka ndarë mendimin e tij se ky sezon duhet të përfundojë me patjetër, madje edhe nëse duhet t’i themi lamtumirë pushimeve dhe të nisë menjëherë sezoni pasardhës. Gjithashtu në flalën e tij Jupi ka deklaruar se klubet shqiptare janë në luftë me ekzistencën e tyre dhe kjo gjendej patjetër që u rëndon së tepërmi mbi supe.

“Gjithmonë e kemi kthyer kokën nga shteti, nga qeveria. Sporti në përgjithësi, është një sektor i ekonomisë që e ka shumë të vështirë të mbijetojë me vetë-financim. Unë nuk kam shpresa me situatën që është, që shteti do të merret me problemet që ka sporti. Mbase është moment reflektimi për të gjithë, që kur të kthehemi në normalitet, të bëjnë diçka për ne. Por shpresat që të ndërhyjnë tani, janë shumë të pakta.

Situatat me kampionatet e tjera nuk janë të ngjashme. Në kampionatet tjera, po flasim për situata ekonomike shumë të favorshme, ne nuk jemi në ato kushte. Të gjithë janë në gripin e mbijetesës, nuk flitet për njerëz që paguhen shumë dhe të kenë rezerva për të mbijetuar pa rrogë. Futbolli ynë ka probleme të ekzistencën momentale, jo më për të ardhmen. Në këto kushte është futbolli shqiptar, në minimumin jetik.

Unë në fakt, mendoj se sezoni duhet të përfundojë në çdo mënyrë, por pa rrezikuar jetë njerëzish. Skenari që unë kam në mendje, që është skenar optimist, është që në një periudhë të caktuar, mbase dhe pas dy muajsh, të ketë një hapje graduale të fillimit të aktivitetit. Për mua, kampionati të mbarojë, nuk ka rëndësi, të mbarojë dhe në shtator dhe të shtyhet sezoni tjetër. Por kampionati duhet të mbarojë, është bërë 75% e garës, nuk hidhet poshtë. Pushime këtë vit nuk kemi, po i bëjmë tani. Sezoni duhet të mbarojë edhe në kurriz të sezonit tjetër, pasi ne e kemi luksin. Edhe në kurriz të Europianit, pasi nuk e kemi detyrim.

Kështu që duhet të bëjmë të pamundurën që të luajmë të dy sezonet dhe t’i japim një formë të pranueshme. Si ekipet që luftojnë për titull, si për Europën, si për mbijetesën dhe ata që ngjiten lart. Unë nga natyra jam optimist dhe do e shikoja pak më të shpejtë rikthimin e normalitetit. Nëse shohim dritë jeshile, sezonin ta mbyllim me çdo kusht. T’i harrojmë pushimet, të bashkohen edhe sezonet. Duhet sakrifikuar edhe cilësia. Mund të mbarojë në tetor sezoni dhe sezoni tjetër të fillojë pas një jave”, është shprehur Redi Jupi./Sport Ekspres/