“Nuk kam pse marr etiketime nga pankina kundërshtare“, Mërgjyshi sqaron konfliktin me Gjylën: Ia ktheva, pres respekt si në Fier

Derbi i Myzeqesë mes Apolonisë dhe Lushnjes ka përfunduar me shifrat 1-2 për fierakët. Apolonia ka marrë kështu 3 pikët, që kanë një tjetër vlerë në një ndeshje të tillë. Lagunarët u përpoqën të ndryshonin fatin e takimit, teksa në minutën e 75-të ngushtuan shifrat me anë të Pepës, por pa ia dalë që të përmbysnin gjithçka. Pas përfundimit të ndeshjes për mikrofonin e “RTSH” kanë folur edhe vetë protagonistët.

“Kishim akumuluar shumë për këtë ndeshje. Me zor e prisnim, sepse ishte një rival direkt dhe që duhet respektuar për të gjithë garën që ka bërë gjatë gjithë kampionatit. Por kishte ankesa shumë për besimin tonë dhe sot i kemi treguar që jemi me meritë në krye dhe nuk kemi vjedhur asgjë. Kemi treguar këtu që jemi superior karshi një kundërshtari që megjithëse duhet respektuar ne e kemi dominuar gjatë gjithë 90 minutëshit.

Më vjen keq që ndodhin të tilla situata. Ne jemi dhe kolegë dhe duhet repsektuar edhe puna e kolegut për gjithë sezonin. Edhe kur vjen në Fier unë nuk merrem fare me kundërshtarët dhe pres të njëjtin respekt edhe kur jam jashtë Fierit. Unë kam të drejtën time të komentoj apo flas me gjyqtarin, por nuk kam asnjë arsye që nga pankina e kundërshtarit të marr etiketime të ndryshme. Kështu që më erdhi shumë keq dhe ia ktheva, sepse unë i kam respektuar dhe i respektoj gjithmonë kolegët. Kjo është detyra jonë, njëherë fitoj unë njëherë fiton Gjyla. Gjyla ka ankesa shumë por para 2 vitesh Lushnja u ngjit në Superiore dhe nuk vodhi asgjë, ashtu si ne sivjet. Megjithëse jam fituesi e respektoj pa masë kundërshtarin”, ka thënë Artan Mërgjyshi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *