Nuk ka pension për Stavri Nicën!

0

8 korrik 1954 – 8 korrik 2019, kjo është jeta kalendarike 65-vjeçare e Stavri Nicës. Nga sot në pension, por një jetë e kaluar mes familjes, shoqërisë e sportit në veçanti, e ka evidentuar Stavrin si një emër popullor në pankinat e skuadrave shqiptare të futbollit. Më parë ka luajtur si futbollist, por si trajner ka një karrierë më të gjatë. Ai i ka provuar të gjitha kategoritë në këtë karrierë mbi 20-vjeçare.

Trajner në 13 skuadra, pa përjashtuar punën me të rinjtë dhe si trajner i dytë, kjo është biografia sportive e Stavri Nicës në futbollin shqiptar. “Mua më pëlqejnë sfidat në aspektin profesional dhe kështu besoj se do të jetë për sa kohë unë do jem i gatshëm të drejtoj një skuadër futbolli”, kështu ka deklaruar Nica për SportEkspres.com në muajin janar, kur edhe mori drejtimin e skuadrës së tij më të fundit, Devollit të Bilishtit.

Kjo rezyme e karrierës së Stavri Nicës nuk është e plotë, por vetëm një kujtesë në këtë ditë të veçantë për të, në 65 vjetorin e tij të lindjes. Sepse në këtë përvjetor, Nica vjen edhe me disa “rekorde” që homologët e tij nuk i kanë arritur, ku së pari veçohet se është trajneri me moshë më të madhe në futbollin shqiptar. Rekordi më i ri është se, në raport me kolegët, Stavri ka numrin më të madh të skuadrave të drejtuara në karrierë në të gjitha kategoritë e futbollit tonë.

Nuk ka pension për Stavri Nicën, sot e urojmë që të thyejë edhe rekordin e jetëgjatësisë!

Redaksia SportEkspres.com

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.