Nuk ka fitues në Torino, Interi reziston i pari!

Shumë zhurmë për… asgjë! Në “Allianz Stadium”, ndoshta nga frika, ndoshta edhe nga fakti që luhej pasi bardhezinjtë e Juventusit vinin nga dy ndeshje brenda pak ditesh (Napoli në kampionat dhe Olimpiakos në Champions) nuk i kanë dhënë shumë gaz, teksa edhe ndërrimet e Alegrit, si gjithmonë, kanë munguar.

Sepse, aktivizimi i Dibalasë vetëm në minutën e 75-të është praktikisht një shenjë se trajneri nuk beson më te argjentinasi. Në anën tjetër, Interi u fut në fushë për të mbrojtur 0-0 dhe për të provuar, pse jo, me ndonjë kundërsulm, që të shënonte dhe befasonte mbrojtjen e “Zonjës”, që megjithatë nuk ka kaluar momente të vështira, përveç se një rast në fund nga Brozoviç. Ikardi dhe Perisiç, sakaq, kanë munguar plotësisht, të anuluar edhe nga mbrojtja bardhezi, me Kielinin të pagabueshëm.

Pak punë, për të mos thënë aspak, për Sheznin, ndërsa Handanoviç ka qenë perfekt në rastet e Juventusit, që deri në fund ka kërkuar fitoren, por nuk ia ka arritur. Manxhukiç, më i miri për “Zonjën”, teksa Higuain u duk mjaft i lodhur dhe jashtë ndeshjes, ashtu sikurse Pjaniç. Në pjesën e parë, bardhezinjtë krijuan volum dhe patën dy raste pikërisht me Manxhukiç, por mungesa e fatit dhe përvoja e Handanoviç i ndaluan. Në pjesën e dytë, rasti më i mirë ishte në këmbët e Asamoah, por sërish portieri slloven tha “jo”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *