Nuk ka çështje ”Shkodra”, klubi korçar e anashkalon

Veprimi i mesfushorit nuk ishte korrekt, edhe pse e ka pasur inatin me veten, por te Skënderbeu nuk e përmendin. Sulmuesi Nespor me “valixhet” gati

Leonard Trebicka

Donjet Shkodra u bë objekt diskutimi në ndeshjen e Vlorës jo për lojën e tij apo për ndonjë gol, por për shkak të nervozizmit të shfaqur në momentin e ndërrimit nga trajneri Ilir Daja. Pamjet filmike treguan qartë një reagim, që te bardhekuqtë nuk e ka bërë më parë askush. U fol të enjten për një çështje, por në fakt klubi “Skënderbeu” e ka mbyllur shpejt e shpejt atë. Lojtari e ka pranuar se e kishte me veten dhe jo me trajnerin apo dikë tjetër, kështu që dje nuk është përmendure aspak ajo që ndodhi në Vlorë.
Mesfushori Donjet Shkodra erdhi te Skënderbeu në verë, por ka gjetur shumë pak hapësira te Skënderbeu. Trajneri Daja aktivizon lojtarët më në formë dhe ata që i përshtaten më shumë skemës së lojës së korçarëve. Shkodra ishte titullar ndaj Flamurtarit dhe kur u zëvendësua reagoi me nerva, një gjest që në fakt u ka rënë në sy të gjithëve. Kosovari pohoi më pas se gjithçka kishte të bënte me atë që ai dha në fushë. I pyetur për veprimin e Shkodrës, trajneri Daja tha se nuk ka asnjë çështje te Skënderbeu, edhe pse u shpreh se çdo lojtar duhet të ketë respekt për ekipin dhe shokët.
NESPOR – Komentet për Donjet Shkodrën kanë qenë të shumta pas ndeshjes në Vlorë, por gjithçka është mbyllur aty për aty. Më shumë çështje te korçarët është ajo e sulmuesit Martin Nespor, i ardhur nga kampionati polak me shumë bujë. Nga sa mësohet, edhe këtë fundjavë nuk do të jetë i gatshëm për trajnerit Daja, për shkak të dëmtimit në mes. Deri në janar ka kohë, por ndoshta që tani mund të thuhet se lojtari në fjalë i ka “valixhet” në duar. Për këtë lojtar është pritur për javë me radhë të arrijë formën e tij më të mirë dhe ta ndihmojë ekipin, por kjo asnjëherë nuk ka ndodhur. Patjetër që në klubin bardhekuq po mendojnë që ta sistemojnë këtë lojtar në merkaton e janarit, që nënkupton prishjen me konsensus të marrëveshjes dhe largimin e sulmuesit. Rrjedhimisht, në merkaton e dimrit Skënderbeu duhet të afrojë një lojtar tjetër për sulmin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *