“Nuk jam idiot, besoj se ekipi ka kualitet për të luajtur në sulm”

0

Trajneri kuqezi, shou në konferencë: Në mars do të ketë afrime të tjera. Alijin e marr sepse jam i dashuruar, edhe nëse nuk ka skuadër. Nga Hysaj pres më shumë. Dua grupin, jo individët

Anton Cicani

“Si jeni mirë?!”… Ndoshta ka menduar që të imitojë vitin e suksesshëm të Klaudio Ranierit në stolin e Leisterit, në Premier League, ose ndoshta kështu është “normaliteti”, siç e quan ai… Pra, të përshëndesësh gazetarët por edhe fotografët dhe kameramanët në sallën e konferencës. E ndërsa në fushë nuk ka shaka përpara tij, në “përballjet” me mediet duket mjaft i çiltër, ndoshta sikur nuk ndjen asnjë emocion apo “presion” pyetjesh. Sigurisht, xhentilesa është ajo që e dallon, ashtu sikur të ishte një populist i vërtetë. Madje, ka nisur të flasë edhe pak shqip, edhe pse fjala më e përdorur është “mirë!”, natyrisht. Turqia është lënë pas, por grinta me të cilën shfaqet të jep shpresë se në të ardhmen, do të provojë të bëjë edhe gjëra më të mëdha.

Ajdareviç dhe Qaka, çfarë impakti patën te ju, por edhe Lilaj… Dhe, si ka ndryshuar Shqipëria e Panuçit nga ajo e De Biazit?

Nuk e di nëse ka ndryshuar. Po mundohem që të jap cilësinë më të mirë të mundshme, sepse kemi shumë pak kohë për të punuar. Qaka është një talent që luan në Rumani dhe jam i kënaqur që e gjeta. Ajdareviç është një djalë që i duhet dhënë besim, por ka cilësi, ndërsa Lilaj më pëlqeu shumë se si punoi dhe është interesant. Sa i përket pyetjes për ndryshimin, Xhani (De Biazi) ka mënyrën e tij për të punuar dhe unë time. Në mënyrë të pashmangshme, u detyruam që të ndryshonim diçka. Sidomos, për idetë e mia. Uroj që të marr të njëjtin rezultat që arriti De Biazi.

Në konferencën e fundit për shtyp thatë se do të fusnit në skuadër filozofinë juaj. A e ka marrë këtë marsh më tepër skuadra?

Besoj se në pjesën e parë me Turqinë, u shfaq puna që kryem në Antalia. Besoj se pati dy ndeshje. Ajo e pjesës së parë, ku kishte shumë cilësi dhe ajo e dytë, kur mbetëm me dhjetë dhe shfaqëm shumë karakter. Ndaj, nëse në pjesën e parë u tregua puna, në të dytën uroj që është demonstruar ai karkatur që dua t’i fus ekipit. Duhet punuar me seriozitet dhe vijuar përpara. Nëntë ditët e kaluara në Antalia, futbollistët janë treguar të jashtëzakonshëm dhe i përgëzova. Rezultati është meritë e punës.

Metoda e Panuçit dhe hapat që do të ndiqni, duke nisur me futbollistët e rinj, por edhe duke i qëndruar deklaratës se do të vëzhgonit 12-14 lojtarë të rinj, teksa menjëherë janë afruar Qaka dhe Ajdareviç. Por, cilët mund të jenë të tjerët?

Grumbullimi i Antalias ishte i vlefshëm, më pas do të jetë ai i marsit. Jam i kënaqur me të rinjtë dhe bazën e kemi të rëndësishme. Kemi futbollistë të tjerë për të parë, për të ndërtuar grupin që do të provojë të shkojë në Euro 2020

Cilët mund të jenë këto emrat e rinj?

Kemi pesë apo gjashtë që do të shoh. Por, ndryshe është t’i shohësh me video dhe ndryshe drejtpërdrejt. E sigurt që do të ketë hyrje të reja në mars

Grumbullimi në Turqi, duke u ndalur edhe te bisedat me futbollistët, ishte me dy stërvitje në ditë dhe mbingarkesë fizike. Duke cituar Sakin që thoshte që në stërvitje duhet të vraposh më shumë se sa në ndeshje, ku do të jesh më i lehtë më pas, mos ndoshta po ndryshoni mënyrën e përgatitjes fizike dhe atletike të ekipit?

Besoj se ashtu si stërvitesh, ashtu edhe luan. Dhe, duke qenë se futbollistët duhet të kenë kulturën e punës, sepse nëse punon 50%, do të marrësh 50%. Përpara ndeshjes me Turqinë, i bëra komplimentet djemve. Sepse, kur u stërvitëm, patën vështirësi, u lodhën. Ndjenë lodhjen dhe muskujt… Është ajo diferencë që kemi folur. Dhe, nëse ata kuptojnë se nëse si stërvitesh, luan, besoj se kemi cilësitë për të arritur objektivat. Më e rëndësishmja është që besojnë te ajo që unë ju them. Sepse, kanë punuar shumë. Madje, kishte disa lojtarë që janë shprehur më pëlqen mënyra se si punojmë dhe është satisfaksioni im më i madh. U pa edhe në pjesën e dytë ndaj Turqisë, edhe pse me dhjetë, nuk donin ta humbitnin apo barazonin. Nuk besoj vetëm te një futboll me top, por përgatitja fizike është e rëndësishme. Problemi është se këtë herë kishim mundësi të stërviteshim, por kur të afrohen ndeshjet e Europianit, nuk do të kemi, ndaj do të jetë e rëndësishme se si do të përgatiten me klubet e tyre.

Të ndalemi në aspektin taktik dhe te krahu i majtë: përpos Agollit, që të gjithë e dimë që po arrin drejt fundit të karrierës me kombëtaren, nuk shohim alternativë tjetër. Mos ndoshta përshtatja Hysajt në të majtë mund të shërbejë për të të dhënë atë alternativë që kërkon?

Jo, jo! E dimë që Hysaj mund të luajë edhe në të majtë. Kam besim te Aliji, Lenjani, Memolla dhe futbollistë që uroj të rriten. Shpresoj që Aliji të gjejë ekip në janar, sepse besoj shumë te ai. Nëse janë të vdekur të gjithë, mund të vendos Veselin në krah të majtë.

Hysaj nuk preket?

Nuk preket nëse stërvitet mirë, sigurisht për momentin është mirë në të djathtë. Te kombëtarja nuk ka të paprekshëm. Mund të mos luajnë të gjithë ashtu sikurse mund të luajnë. Askush nuk e ka vendin e sigurt. Por, me mua sillet mirë dhe është serioz. Por, nuk e sjell individi fitoren, por grupi.

Ramadani dhe Ndoj, të afruar nga Shpresat. Por, Bushi tha se ka edhe të tjerë që Panuçi ndjek. Cilët janë ata që mund të afrohen?

Ndjek të gjithë, por nuk bëj emra. Ramadani më pëlqen shumë dhe do të jetë pjesë e Shqipërisë. Ai luan në një kampionat fizik si Danimarka. Nuk dua të them emra, sepse janë të rinj. Kam biseduar edhe me Bushin.

Çfarë standardi mendoni se po krijoni duke ftuar një futbollist pa skuadër si Aliji?

Në radhë të parë, më duket habi se si gjithë menaxherët e futbollit në botë nuk e kanë dalluar dhe ai nuk ka skuadër. Dhe, duke qenë se për mua është tepër i rëndësishëm, e morra për t’i treguar se si janë rregullat dhe grupi, por sepse besoj te ai dhe dua t’i jap një dorë. Dhe, nëse në mars nuk ka skuadër, vjen edhe në mars.

Luajnë ata që preferon, apo ata që kanë më shumë minuta në këmbë në kampionatet e vet?

Shpresoj që lojtarët e mi të luajnë sa më shumë. Pastaj, është e qartë që kur grumbulloj 23 lojtarë, luajnë ata që kanë më shumë minuta në këmbë. Futbollistët këta janë, 67 po i provojmë dhe po ndryshojmë, por nuk është se kemi pafundësi lojtarësh. Edhe Sadiku nuk kishte luajtur shumë, por erdhi, punoi 9 ditë me ekipin dhe ishte shumë mirë. Pastaj, natyrisht nëse dy lojtarë janë në balotazh, luan ai që ka më shumë minuta në klubin e vet.

Nëse vuan Italia për të gjetur futbollistë, që ka 60 milionë banorë, po Shqipëria si do t’ia bëjë me thuajse 3 milionë banorë?

Italia nuk dëshiron t’i prodhojë talentet, nuk punon, sepse ka futbollistë pa fund. Te Shqipëria po mundohemi të zbulojmë sa më shumë lojtarë për të ardhmen. Besoj se mund të ndërtojmë një Shqipëri të bukur, bazën e kemi, do të ndjekim shumë lojtarë nëpër Europë.

A krijuat ndonjë ide cilët lojtarë meritojnë apo jo kombëtaren, pas miqësores së fundit?

E kanë në dorë lojtarët, nuk e bëj unë zgjedhjen finale. Nëse trajneri mendon se të gjithë janë shumë të nevojshëm, do të thotë që është një grup shumë i fortë lojtarësh. Qaka, për shembull, e ndiqja prej një muaji e gjysmë, kishte cilësi, por nuk ishte vënë re. E meritoi vetë grumbullimin, nuk e solla unë, kushedi sa mund të ketë si ai në qarkullim. Ajdareviç erdhi të hënën dhe punoi shumë, në fund të javës vraponte më shumë nga të gjithë. Hysaj është lojtar lider, por duhet të punojë, edhe më shumë se të tjerët, për të qenë shembull.

Mentaliteti në kombëtare ka ndryshuar

Në këto 9 ditë që kemi kaluar në Antalia, kemi punuar shumë në çdo drejtim. Shpesh hedhja në fushë e kualiteteve ndryshon besimin te vetja. Kur ke në mesfushë lojtarë si Lilaj, Xhaka, Memushaj, kemi cilësi në mesfushë. Në sulm kemi Sadikun, Balajn, Cikalleshin, është një skuadër që dëshiron dhe di të luajë futboll. Pashë lojtarët që ishin të bindur për idetë që kemi në mendje dhe në vazhdim do të vijnë lojtarë të tjerë cilësorë, që e meritojnë të jenë në kombëtare dhe duhet të besojnë edhe më shumë te vetja. Dera është e hapur për të gjithë. Lilajn e pashë kur erdha, prita pak që ta shihja më shpesh dhe u binda që vlente për kombëtaren. Ndihmësi im Bulku më informon për gjithçka.

A mund të provohen emra si Hoxhallari, apo Mici, që po luajnë rregullisht dhe presin një ftesë?

Unë preferoj Alijin, shpresoj që të gjejë ekip. Ka luajtur me De Biazin, para se të mbetej pa ekip. Më pëlqen Aliji, është zgjedhja ime. Dikujt i pëlqejnë brunet, disa biondet, ç’të bëj. Pasi e pashë Alijin të stërvitej, më pëlqeu edhe më shumë. Pasi bëj dashuri me një femër, më pëlqen edhe më shumë.

E krijuat një ide se cilët nga lojtarët që keni provuar ndoshta në të ardhmen nuk do t’i jepet mundësi? Ose, nga cilët lojtarë kërkonit më tepër?

Kombëtaren nuk e bëj unë, janë futbollistët ata që më tregojnë këtë gjë, se sa duan të jenë të grumbulluar. Sigurisht, ka futbollistë të rëndësishëm, por ne duhet të ndërtojmë një grup të fortë. Sepse, ky djalosh (Qaka) që morrëm në Rumani ishte talent dhe kisha 1 muaj e gjysmë e kishte mbajtur shënim, por është ai që e meritoi, me talentin e tij, nuk jam unë ai që i jap mjekim. Si Qaka mund të ketë edhe shumë të tjerë.

A mund të themi që kjo është Shqipëria e Panuçit, e kanë kuptuar lojtarët filozofinë, apo i duhet kohë?

Në këto 9 ditë në Antalia u përcoll edhe puna në pjesën e parë të ndeshjes. Besoj se shumë herë duhet të fusim cilësi në ekip, që të jep mundësi për një lojë ndryshe. Sepse, kur ke një mesfushë me Lilaj, Xhaka, Memushaj, Qaka, ke lojtarë cilësorë dhe është me e thjeshtë. Kemi diçka për të vendosur në mesfushë. Mungojnë Balaj dhe Cikalleshi. Kemi nisur të jemi skuadër që mund të luajmë futboll. Por, mbi të gjitha pashë futbollistët të bindur për atë ide. Besoj se muajt në vazhdim do të sjellim sërish lojtarë me cilësi. Sepse, ata mund të luajnë me cilësi, jo sepse unë jam idiot dhe zgjohem e them hajde tani luajmë 20 metra përpara, por sepse ata duhet të besojnë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image