Nuk i lë asgjë të vetme rastësisë, Ilir Daja është një nga më të mirët në Shqipëri

E kritikojnë dhe për Skënderbeun ka gjithmonë polemika, por Ilir Daja është një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri. Nuk kërkon vetëm fitoren, por të arrijë te goli me një skemë dhe jo t’ia lërë në dorë rastësisë. E treguan edhe dy realizimet ndaj kurbinasve.

Në transfertën e Laçit skuadra e Ilir Dajës u has me vështirësi në rezultat. Vendasit shënojnë të parët në minutën e 20′, por korçarët kanë arritur të përmbysin gjithçka brenda 18 minutave. Bregu dhe Otto John ishin shpëtimtarët e Skëndërbeut duke u dhuruar bardhekuqëve fitoren e dytë në dy ndeshjet e para të kampionatit.

Në këtë fillim kampionati duket se Skëndërbeu vuan presionin e brendshëm nga dënimi europian. Korçarët nuk e kanë ende në 100% optimizmin, çka reflektohet edhe në fushë. Ndaj Flamurtarit u deshën sekondat e fundit të kohës shtesë që Gripshi të shënonte golin e vetëm të takimi. Tre pikë të marra në frymë të fundit. Ndërsa në Laç, Skëndërbeu lejon të hap portën i pari, e më pas të reflektojë ne kundërpërgjigje.

Efekti Daja është i dukshëm. Për trajnerin kriza nuk ekziston dhe me frymën e një profesionisti po mban të karikuar të tijët. Ishte ai që me aq mund bëri një paraqitje të kënaqëshme në kupat europiane për sezonin 2017/2018. Duke njohur gjithë organikën e juglindorëve, Daja mbetet një nga teknikët që synon ta marrë rezultatin në të gjitha format e mundëshme, pa lejuar pesimizmin të mbizotëroj në grup. E nëse deri dje mendonit se Skëndërbeu nuk ishte pretendent për titull këtë vit, filloni të llogarisni korçarët në atë listë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *