“Nuk i falet Nojerit kjo sjellje, kapiteni i zgjidh problemet ndryshe”

Drejtuesit e Bajern Mynih kanë premtuar një verë të zjarrtë në merkato, por diçka e tillë nuk po ndodh akoma. Klubi bavarez ka nevojë për përforcime të shumta, por drejtuesit nuk po nxitohen, pavarësisht afrimeve të Pavard dhe Hernandez.

Manuel Nojer nuk e pëlqen kjo situatë. Gardiani i Bajernit e di mirë diferencën që ka ekipi i tij me të mëdhatë e Europës dhe nuk e përjashton një aventurë të re. Portieri i famshëm, i cili ka edhe dy vite kontratë me Bajernin, dëshiron të fitojë Champions Ligën për herë të dytë dhe e sheh të vështirë që ky objektiv të realizohet në ekipin aktual.

Agjenti i 33-vjeçarit, Tomas Kroth, foli publikisht për “Suddeutsche Zeitung” dhe deklaroi se Bajerni ka mbetur larg rivalëve të mëdhenj europiane dhe nuk e mohoi transferimin e Nojer te një ekip tjetër.

Diçka e tillë nuk është pritur mirë nga Lotar Mateus. Legjenda gjermane nuk i ka kursyer kritikat, duke shpjeguar mendimin e tij në lidhje me këtë çështje.

Sjellja e Nojer është e papranueshme, Ai është kapiteni i Bajernit dhe duhet të flasë privatisht me drejtuesit për problemet që ka apo për merkaton e klubit. Unë e njoh agjentin e tij dhe nuk është një person, i cili nuk shfaqet në publik me vullnetin e tij të lirë. Të dy do të kenë rënë dakord për atë deklaratë. Agjentët e mi nuk do kishin shansin të shpreheshin në atë mënyrë pa miratimin tim”, përfundon Lotar Mateus prononcimin e tij për “Bild”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *