Nuk është me Kombëtaren, Sadiku llogaritet te Malaga dhe nuk ka shtyrje të ndeshjes

Armando Sadiku nuk është i grumbulluar te Shqipëria sa i përket dy ndeshjeve të radhës që kuqezinjtë do të kenë në muajin tetor. Sidomos nëse flasim për përballjen e së premtes, atë ndaj Turqisë, që do të vulos shumçka për vazhdimin e një ëndrre.

Sulmuesi shqiptar i ka kërkuar trajnerit Reja që mos të grumbullohet për disa probleme familjare. Më shumë dhimbje koke për trajnerin e kuqezinjëve, por më tepër çlirim për Sanchez te Malaga. Ky i fundit kishte menduar edhe për kërkesën e një shtyrje të takimit në “La Liga 2”. Kjo pasi ndeshja zhvillohet të shtunën dhe në këtë kampionat luhet edhe përgjatë Kombëtareve.

Sipas asaj që raportohet në median prestigjoze spanjolle, “AS”, Sadiku është i llogaritur për këtë ndeshje. Malagës i janë larguar 4 lojtarë drejt Kombëtareve, duke përfshirë edhe Keidi Baren, por kanë mundur të marrin Lorenzo Gonzalez. Ky i fundit ishte ftuar nga të rinjtë e Zvicrës, por u lejua nga helvetët që t’i bashkangjitej ekipit spanjoll. Tashmë Sanchez numëron 12-14 profesionistë dhe me kualitetet e duhura për t’u përballur ndaj Cadiz. /Sport Ekspres/

Marrë nga “AS”