Nuk është gënjeshtër për 1 prill, ja njoftimi i Kukësit

Paradokset janë normalitet në vendin tonë. Para pak ditësh Kukësi zhvillonte një finale me Partizanin dhe fusha e keqe e Elbasanit – kështu pretendohet në kampin verilindor – i dërgoi në Shkodër. Pak ditë më pas tashmë gjendja ka ndryshuar. Në “Elbasan Arena”, duket se është punuar mirë dhe Kukësi tani do të ketë kushtet perfekte aty.

Veç ndryshimit të fushës, drejtuesit e verilindorëve habisin edhe me diçka tjetër: hyrja në stadium do të jetë falas. Vetëm pak ditë u janë dashur për të kuptuar se tifozët nuk kanë mundësi të paguajnë 1000 dhe 2000 lekë për të ndjekur një ndeshje të Superiores. Ose ndoshta këtë herë Kukësi nuk do të paguajë për stadiumin.

Përballja me Teutën është shumë e rëndësishme, pasi luhet çerekfinalja e kthimit në Kupën e Shqipërisë. Barazimi 2-2 në stadiumin “Niko Dovana” favorizon ekipin e drejtuar nga Ramadan Ndreu dhe sportivisht kjo përballje tërheq. Fati i tifozëve të Teutës, që ndryshe nga ata të Partizanit, do e shohin ndeshjen falas. Urojmë të mos jetë gënjeshtër për 1 prill, si ajo e kolegëve tanë në Supersport, që raportonin për largimin e presidentit Safet Gjici nga klubi i Kukësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *