“Nuk është ashtu si lexojmë për ta”, Torasa rrëfehet në Argjentinë: Edhe nëse humb të respektojnë, Shqipëria më ka befasuar

Agustin Torasa prej disa vitesh është pjesë e Superiores, ku ka mbajtur veshur fanella me peshë si ajo e Partizanit, Flamurtarit dhe së fundi të Tiranës. Me bardheblutë po përjeton një sezon fantastik, teksa ishte pandemia Covid-19 e vetmja që mund të ndalte hapin e tyre. Në një intervistë për median argjentinase “balon latino”, Torasa ka rrëfyer më tepër nga eksperienca e tij në Shqipëri. Argjentinasi shpjegon se vendi ynë është shumë ndryshe nga ajo çfarë të huajt janë mësuar të dëgjojnë dhe lexojnë, ndërsa thekson se është një vend më i sigurt se Argjentina, me të cilin mënyra e jetesës nuk ka dallime të mëdha. Gjithashtu ka folur edhe për kapmionatin shqiptar, ku thotë se është rritur ndjeshëm dhe se futbolli që luhet është tepër fizik. Torasa i cilëson shqiptarët si shumë të apasionuar ndaj këtij sporti, megjithëse në ndryshim nga vendlindja e tij nëse humb një ndeshje nuk ke frikë të dalësh prej banesës, pasi tifozët këtu sërish të respektojnë.

“Futbolli këtu është rritur shumë, për mendimin tim, në kohët e fundit. Tani ka më shumë të huaj sesa kishte në vitin 2016 kur mbërrita, është futboll shumë fizik dhe ka filluar të luajë pak më mirë. Natyrisht, kur vijnë lojtarët e huaj, cilësia rritet dhe bëhet një kampionat shumë konkurrues.

Mund t’ju them se ajo që do t’i kushtojë më shumë një argjentinasi këtu është çështja e gjuhës, sepse më vonë, nga dita në ditë, nuk është shumë e ndryshme nga atje. Unë nuk gjej dallime të mëdha midis jetës këtu dhe asaj në Argjentinë. Është një vend në të cilin ndihem mirë, që më befasoi për mirë. Ju lexoni gjëra në internet që janë shumë relative dhe nuk e dini se çfarë do të hasni, por e vërteta është se gjeta një vend shumë të sigurt. Unë kam ecur kudo dhe në çdo kohë dhe asgjë nuk më ka ndodhur. Për të mos përmendur faktin se është shumë më e sigurt se Argjentina.

Njerëzit e jetojnë futbollin me pasion, por jo me çmendurinë totale që përjeton futbolli argjentinas. Kjo pasi këtu mund të dilni për të pirë apo ngrënë jashtë pasi të keni humbur një lojë dhe madje ju kërkojnë fotografi me respekt. Kjo nuk ndodh në Argjentinë”, ka thënë ndër të tjera Agustin Torasa./Sport Ekspres/