“Nuk e ka pasur për mua”, Idriz Batha për deklaratën e Bruno Telushit: Burrëria tregohet në fushë!

Nga Klaudio Ndreca

Intervista që shkaktoi një jehonë të madhe në ditën e djeshme, ishte përcaktimi që bëri Bruno Telushi për kalimet e lojtarëve nga Partizani te Tirana. Sipas këndvështrimit të këtij mesfushori, nuk është burrë një futbollist që bën këtë zgjedhje, nëse është i lidhur me klubin dhe tifozët, pasi do të ishte tradhëti për këtë dashuri të madhe.

Nga ana tjetër është Idriz Batha që ka reaguar për “Newsport” rreth këtyre fjalëve. Teksa nënvizon se fjalët e sipërpërmendura nga Telushi nuk i drejtohen atij, Batha e sheh burrërinë disi më ndryshe, atje ku vlerat tregohen në fushë, duke përballuar edhe presionin. Pra e marrë në një rast personal kjo, pasi ka pasur jo pak diskutime edhe për të në momentin që zgjodhi të përfaqësonte bardheblutë.

“Në fakt s’e kam parë intervistën e Telushit. Jam i sigurt që s’e ka pasur me mua sepse ai më njeh mjaft mirë kush jam unë. Megjithatë secili ka këndvështrimin e tij. Personalisht mendoj se burrëri është të shkosh të tregosh veten aty ku të gjithë mendojnë se ke bërë zgjedhjen e gabuar. Për mua burrëri është të mposhtësh presionin atëherë kur të gjithë presin të kundërtën”, u shpreh Batha. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *