Nuk bindën gjatë sezonit, Skënderbeu bën gati listën e largimeve

Te Skënderbeu e gjithë vëmendje është te vendimi i CAS-it, sepse gjithçka varet prej tij. Megjithatë, puna vazhdon dhe trajneri Ilir Daja ka gati listën e lojtarëve për sezonin e ardhshëm. Sapo CAS-i të japë përgjigjen pozitive për të luajtur në Champions, siç shpresojnë në klubin korçar, trajneri i kampionëve do të zbardhë listën me emrat e lojtarëve, që dëshiron t’i ketë të gatshëm për sezonin e ri. Dhe kur të shpallet kjo listë do të kuptohet se kush do të largohet, por pak a shumë një ide është krijuar edhe në këtë drejtim. Një pjesë e lojtarëve do të rinovojnë menjëherë, një pjesë tjetër kanë kontratë me Skënderbeun, Bregu, Fejzullahu, apo edhe Koliçi do të vijnë në ekip, ndërsa disa të tjerë pritet të mos jenë më pjesë e kampionëve. Në fakt, nuk bëhet fjalë për largime përfundimtare, por për një largim të përkohshëm nga Skënderbeu, që do të thotë huazim në skuadra të tjera. Për momentin nuk ka asgjë zyrtare, por pak a shumë dihet cilët janë ata që nuk bindën.

SAHITI – Në merkaton e verës së kaluar erdhi te Skënderbeu me shumë bujë mesfushori 23-vjeçar Suad Sahiti. I ardhur nga Rabotniçki, pritej që Sahiti të ishte zëvendësuesi i Latifit, por sezoni nuk ishte pozitiv për të. Ai luajti vetëm 514 minuta dhe nuk mundi të realizonte asnjë gol. Burime pranë stafit teknik bëjnë me dije se në sezonin e ardhshëm gjasat janë të mëdha që Suadi të huazohet.

DEMTE – Emri i dytë në listën e lojtarëve që kanë zhgënjyer është ai i mesfushorit etiopian, Beniam Demte. Ai mbërriti te Skënderbeu pas një “sherri” me Kukësin, që pretendonte se ishte lojtar i tij. Demte luajti me ngjyrat bardhekuqe sezonin e fundit dhe u aktivizua në disa pozicione nga trajneri Ilir Daja. Vetëm 319 minuta janë shumë pak për të dhe Kukësi nuk ka pse të bëhet “pishman”.

KABA SAMBOU – Një tjetër futbollist që erdhi me shumë bujë te Skënderbeu, ishte Kaba Sambou. Mbrojtësi shtatlartë nga Gambia, 22 vjeç, erdhi nga Trepçe 89’ për të luajtur te Skënderbeu, por e pati shumë të vështirë. Edhe ato 270 minuta që luajti në total me Skënderbeun, ishin në ndeshjet e fundit, kur trajneri Daja aktivizoi Skënderbeun B. te Edhe për këtë lojtar është më mirë që të huazohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *