Notat e Shqipërisë/ Qose pagoi faturën e Rejës, Bare sikur po luante…ndaj Andorrës

Shqipëria e ka humbur përballjen e saj ndaj Francës me rezultatin 0-2 në “Air Albania”, atje ku jo të gjithë lojtarët kanë lënë një shije të mirë. Në fakt, trajneri Reja ka pasur disa surpriza me formacionin e parë.

“Sport Ekspres” publikon notat e Kombëtares, atje ku spikatin me notë pozitive Keidi Bare dhe Rei Manaj. Ndërsa me një shije jo të mirë kemi disa prej lojtarëve për një paraqitje jo të duhur, ku mbi të gjitha mund të veçohen Bekim Balaj dhe Ermir Lenjani si raste të përsëritura.

Berisha (6)- Nëse ka një kritikë për Berishën, mund të jetë te goli i parë i Toliso. Ndoshta një vendosje më e mirë në atë moment mund të evitonte golin në minutën e 8. Megjithëse ishte duke pritur një krosim të gjatë dhe u gjend i befasuar. Te goli i Griezman nuk ka peshën më të vogël të përgjegjsisë. Të gjitha reflekset e tij i shpalos ndaj Giroud tek për tek, duke kryer një pritje të mrekullueshme që i mban tifozët ende të ndezur disi. Ka eksperiencën e përvojën e duhur për të qetësuar skuadrën me disa dalje të guximshme, por shumë të vlefshme. Në të kundërt, do të krijoheshin situata shumë të rrezikshme në portën tonë.

Hysaj (5)- Teksa lihet në stol te Napoli prej shumë kohësh, askush nuk priste një performancë magjike nga kapiteni Hysaj. Luan në nivel mesatar, pavarësisht se e dallon në fushë shiriti i kapitenit. Kalohet lehtësisht në minutat e para të takimit nga krahu i tij, pasi shkodrani është më i fokusuar të dërgojë ekipin përpara. E bën vetëm në disa momente, por sërish pritet më tepër nga lojtari që duhet të bëj diferencën te Shqipëria.

Veseli (4)- Kjo ishte ndeshja që Veseli të tregonte përfundimisht forcën e tij te Kombëtarja pas asaj super paraqitje ndaj Turqisë. Nuk e ka disiplinën e duhur dhe e djallos totalisht në golin e dytë të Francën, nga ku mbyllet edhe historia e ndeshjes. Në shqetësim konstant vendoset, duke mos garantuar siguri të plotë për asnjë moment të vetëm.

Dërmaku (4.5)- Giroud ishte shqetësimi konstant i Dërmakut. Muskujt e fortë nuk e ndihmojnë gjithmonë, pasi Franca përdor inteligjencën. Kapet në befasi në shumë aksione, për të krijuar situata të rrezikshme në portën e Berishës. I thyen disa sulme të kampionëve të botës, por nuk e ka shkëlqimin e mëparshëm.

Gjimshiti (6)- Për të parën herë kur Ardian Ismajli mungon, Gjimshiti është një marsh më shumë se dy qendërmbrojtësit e tjerë. Ka më tepër siguri, lexon mirë aksionet e kundërshtarit dhe bën ndërhyrje deçizive. Në ajër ishte i pakalueshëm në duelet, me Giroud që e fut në xhep në këtë drejtim. Por për t’i lënë çelësat e mbrojtjes këtij njeriu, si dikur Lorik Canës, ka ende punë.

Lenjani (4)- Çfarë po ndodh me Lenjanin? Në ndryshim nga gjithë lojtarët e tjerë që kanë patur uljet dhe ngritjet e tyre, Lenjani ka qenë vetëm në ulje me Rejën. I vetmi shpjegim mund të jetë skema e italianit, që e nxjerr tërësisht jashtë loje këtë lojtar. Në krahun e tij kundërshtarit na vijnë lirisht për të sulmuar. Ndërsa daljet në sulm nuk kanë asnjë krahasim të vetëm si me De Biazin dikur. Shumë prej krosimeve të kërkuara mbeten në gjysëm. Kjo skemë e nxjerrë nga loja dhe kur është në të.

Qose (4)- Për t’u harruar! Kritikat nuk duhet të jenë shumë të mëdha për të, pasi edhe Reja nuk veproi drejtë me përgjegjsinë e lënë. T’i besosh nga minuta e parë këtij lojtari ndaj kampionëve të botës, ndërsa nuk kishte luajtur kurrë më parë me këta lojtarë në një ndeshje, përveç stërvitjeve, është vërtet e tepërt. Për më tepër edhe kampionati në të cilin Qose luan nuk pritej ndonjë mrekulli. Por kuptohej se mesfusha e humbte gjithë harmoninë dhe lidhjen nëse një hallkë nuk ishte e lidhur. Një gabim i madh në golin e dytë, por edhe e ka të vështirë të futet në lojë. “Air Albania” e impresionon, paguan edhe “faturën” e Rejës.

Keidi Bare (7)– E kemi fituar këtë mesfushor dhe tashmë duhet t’i gëzohemi. 78% të pasimeve të dhëna ishin të sakta nga mesfushori i Malagas. Luan ndaj kampionëve të botës dhe i duket si të luajë kundër Andorrës. Asnjë emocion më tepër, tërësisht i qetë dhe nuk ka frikë të dalë në front të hapur përballë Francës. Nëse Bare e ka topin dhe dikush kërkon t’ia marrë, e ka kohë të humbur. Oksigjeni ynë!

Klaus Gjasula (6)- I rikthyer pas pezullimit të kartonëve, Shqipëria fiton më shumë qetësi me të. Por ka shumë punë ndaj Francës dhe jo gjithmonë arrin t’ia dalë në përsosmëri. Gjithashtu prej tij kërkohej më shumë edhe në daljet përpara dhe topat e gjatë, që këtë herë mungojnë. Luhej ndaj kampionëve të botës dhe kjo ishte e kuptueshme, pasi mbi të gjitha, Klausi nuk ka shumë kohë te Kombëtarja për të prekur perfeksionin. I justifikuar në këtë drejtim!

Bekim Balaj (4)- Kishte premtuar fluturimin, por ishte pa krahë. Djeg dhe “shansin e fundit” që trajneri të mos e shoh si zgjidhje vetëm në hall. Nuk bën dot asgjë më shumë sesa ndonjë faull të fituar. Asnjë kërcënim për portën kundërshtare, por gjithashtu nuk lë asnjë gjurmë për të marrë ekipin përpara dhe të përdor fizikun e tij për të ecur me topin. Është shumë statik dhe pret shërbimet e skuadrës, por harron se ndaj kujt po luhej. Me kthimin e Cikalleshit, Sadikut, Kamberit, apo edhe ndonjë afrimi tjetër të mundshëm, ia mbyll më shumë hapësirat vetes.

Rei Manaj (6.5)- Reja e ka sulmuesin e preferuar dhe ndaj Francës ka bërë një nga ndeshjet më të mira të Kombëtares. E zëvendëson në perfeksion mungesën e Cikalleshit, duke shtyrë përpara me top dhe duke përdorur gjithë forcën ndaj mbrojtësave të një kalibri botëror. Në shumë raste ia arrin qëllimit për të nxjerrë Kombëtaren përpara. Por këtë herë nuk do të shihte kkolegun tjetër në sulm që të gjendej më afër dhe të tentonte rrezikshmërinë e portës kundërshtare.