Notat e Kombëtares/ Strakosha ka “gjysmë note” te përtypja e çamçakëzit, Trashin e kanë zili

Shqipëria ka arritur të fitojë me rezultatin 4-0 ndaj Moldavisë, në takimin e vlefshëm për kualifikueset e Europianit. Ashtu siç edhe pritej, ka shumë nota të larta për disa prej futbollistëve kuqezinjë, sidomos për aspektin e mesfushës dhe sulmit pasi mbrojtja dhe portieri ishte i papunë. Ky është vlerësimi nga “Sport Ekspres”:

Thomas Strakosha – “Në një ndeshje si ajo ndaj Moldavisë, është një spektaktor më tepër, por që e sheh nga fusha e lojës përballjen. Çfarë të themi më shumë? I vetmi vlerësim për të mund të jetë më tepër te përtypja e çamçakëzit gjatë ndeshjes sesa te puna që pati. Kundërshtari nuk u afrua asnjëherë në portë. Por një “gjysmë note” ia japim për qetësinë që i tregonte ekipit kur qendronte i qetë duke u përtypur, si për të treguar që duhej sulmuar vetëm para, pasi në prapavijë nuk ndodhte asgjë. Ndoshta vetëm kështu mundet.”

Ardian Ismajli(5.5)- “Nuk është kjo ndeshja për të vlerësuar mbrojtësit. Megjithatë Ismajli nuk lë asgjë për panik në mbrojtjen e Shqipërisë në ato pak aksione të kundërshtarëve. Gjithashtu merr pjesë edhe në aksionet sulmuese disa herë, duke dalë me topin dhe duke kaluar gjysmëfushën. Ofron siguri tani sikur ka vite mbi shpatulla”.

Berat Gjimshiti (5.5)- “Bën spastrimin vendimtar pasi Moldavia futet bukur në krahun e majtë në minutat e para. Gjithashtu jep më shumë siguri se herët e shkuara, por nuk ishte Moldavia momenti kur donim sigurinë nga Gjimshiti”.

Kastriot Dërmaku (5)- “Ndeshje e qetë për Dërmakun, që kërkon vetëm me fizikun e tij t’i fitojë duelet me kundërshtarët. Ndonjëherë e tepron, por sërish arrin të ofrojë siguri në prapavijë së bashku me dy lojtarët e tjerë. Nuk merr pjesë në daljen pëpara të Kombëtares”.

Frederik Veseli (5)- “Bie niveli i kundërshtarit, bie edhe Veseli. Kaluam nga Turqia te Moldavia dhe ashtu siç pritej deri diku, Veseli nuk mund të ofronte të njëjtën paraqitje. Ato pak aksione të rrezikshme vijnë nga krahu i tij dhe krosimet janë të dobëta në shumicën e rasteve”.

Lorenc Trashi (6.5)- “Duartrokitje! Padyshim e veçanta e mbrëmjes. Shumë emocione për Trashin që për herë të parë do të luante me Kombëtaren. Këmbët që dridhen dallohen edhe në gabimet e para në disa pasime të thjeshta në krahë, por e ka marrë veten shumë shpejt. Një moment për të goditur nga jashtë zone dhe e provon, duke dërguar topin në rrjetë. Realizim perlë ky që do e kishin zili edhe lojtarët e formuar jashtë. Shijojeni Trashin, është produkt i yni”.

Keidi Bare (7)- “Lojtari i ndeshjes. Ka trurin e një gjeniu. Bën disa pasime të kalibruara që më parë te Kombëtarja, nuk i kishim parë asnjëherë. Jo vetëm që thyen aksione, por dje e pamë edhe vetëm duke ndërtuar. Sa shumë futje të bukura në zonën kundërshtare, ndërsa te goli i parë i realizuar me fanellën tonë nuk ndikoi vetëm gabimi i portierit, por edhe mënyra sesi u sulmua porta nga Bare. Si të ishte një sulmues”.

Klaus Gjasula (6.5)- “Ku ishte Klaus? Kjo është pyetja që e shtrojnë të gjithë. Një qetësi të jashtëzakonshme të dhuron për prapavijën. Ndonjëherë kur kundërshtari nis ndonjë top të rrezikshëm dhe mbetet disi në ajër, Gjasula e zgjidh aq lehtësisht me kokë. Të mësuar me Kaçen, me Xhakën dhe Abrashin më parë aty, gjithashtu edhe shtatlartësia na ndihmon. Nuk po kalohej ndaj Turqisë, e si mundej ndaj Moldavisë?”

Amir Abrashi (6.5)– “I kishte ndezur motorrët dhe ishte ndezur frikshëm. Makthi i çdo lojtari të Moldavisë. Nëse kishe topin në zotërim dhe shihje Abrashin të vinte me shpejtësi, atëherë e vetmja zgjidhje ishte që ta lije sferën.”

Sokol Cikalleshi (5.5)- “Pasi humbi aq shumë energji ndaj Turqisë, ndeshje e qetë. Sigurisht, e pritshme. Por në të vetmin rast te porta kundërshtare që duhej ta dërgoj topin në rrjetë, e bën duke zhbllokuar edhe takimin”.

Rey Manaj (6)- “Gol me finte dhe shqiponjë. Mënyra e duhur për të mbyllur spektaklin e një takimi të dominuar nga minuta e parë. Duket qartësisht se me fizikun e tij i merr përpara të gjithë lojtarët rivalë. Por teksa sheh Manajn, ende të kujtohen ato rastet e humbura me Turqinë. Përse tani?”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *