Notat e Kombëtares/ Ku ishe Sokol Cikalleshi? Memushaj ishte…një ”vetëtimë” në “Elbasan Arena”

Shqipëria ka arritur të fitojë me rezultatin 4-2 ndaj Islandës, e vlefshme për kualifikueset e Europianit. “Sport Ekspres” ka përgatitur edhe vlerësimin për lojtarët e Kombëtares, që këtë herë ka nota pozitive, ndryshe nga herët e shkuara:

Thomas Strakosha( 4)- “Nuk ka shumë për të diskutuar rreth Strakoshës ndaj Islandës. Nuk ka vend për mrekulli ashtu siç do të bënte në disa raste ndaj Francës. Ato goditje që vijnë serioze brenda kuadratit, përfundojnë edhe në rrjetë. Jo shumë për fajin e tij, por më tepër për hutimin e mbrojtjes. Gjithsesi, nuk mund të ketë një vlerësim të mirë në një mbrëmje që nuk e sheh si protagonist”.

Kastriot Dërmaku(6)- “Për këdo që kishte dyshime mbi aftësitë e këtij mbrojtësi, i ka shuar ndaj Islandës. Ka gjendjen e duhur fizike për të përballuar shtatlartësinë e kundërshtarit. Më e rëndësishmja, na bën të mendojmë se mund të shënojmë dhe se nuk e kemi harruar portën. Goli i parë do të ishte i tiji dhe më pas nis “festivali”. Mund të bënte më mirë në golin e dytë të pësuar gjatë markimit”.

Ardian Ismajli (5)- “Një moment mund të vendos edhe fatin e ndeshjes. Ardiani ka qenë në nivel të jashtëzakonshëm edhe këtë herë, por ajo “përgjumje” me futjen në fushë gjatë pjesës së dytë, shërbeu si një dhuratë për kundërshtarin, që gjeti golin e barazimit te 1-1. Por nuk gaboi asgjë tjetër, duke konfirmuar edhe njëherë se është i pazëvendësueshëm si shtylla e mbrojtjes”.

Berat Gjimshiti (5)- “Si zakonisht edhe këtë herë kemi ndërhyrje të thjeshta nga ana e Gjimshitit, megjithëse ka më shumë siguri se në ndeshjet e kaluara. Diçka më shumë pritet prej tij”.

Elseid Hysaj(7)- “Kjo nuk ishte një ndeshje normale për të. Me shiritin e kapitenit në krahë, kishte dalë kundër të gjithëve që kishin kritikuar dhe kishte dhënë një premtim që rëndonte shumë mbi shpatulla: “Do të shihni një lojë që edhe vetë nuk do e besoni”. Pikërisht në këtë lojë arrin të shënojë golin e parë me Kombëtaren. I shfryn të gjitha nervat te shishja kur largohet nga fusha për dëmtimin. Na rikthehu në kujtesë Hysajn e dikurshëm”.

Ermir Lenjani(4.5)- “Skema e Rejës kërkon fizik dhe muskuj të fortë. Lenjani nuk arriti të gjente veten në të dhe nuk spikati shumë në fushën e lojës. Përveç disa tentativave për të marrë krahun dhe për të hyrë në thellësi të sulmit, shpeshherë të pasuksesshme, asgjë tjetër për t’u përmendur”.

Klaus Gjasula(6)- “Përse kaq vonë në Kombëtare? Siguri e jashtëzakonshme për mesfushën. E mban topin si të ketë një “magnet” te këmbët. Nuk gabon kurrë në kontrollin e tij dhe luan gjithmonë me pasa të thjeshta, por që i japin frymëmarrje skuadrës. Padyshim që nëse mesfusha jona mbizotëroi mbi kundërshtarin, merita është edhe e Gjasulës”.

Keidi Bare(6.5)- “Nëse me Francën bëri një ndeshje të mirë, këtë herë e konfirmoi se nuk duhet të largohet asnjëherë nga 11-shja startuese te Shqipëria. I lexon aksionet e kundërshtarëve më mirë se të gjithë. Thyen, ndërton dhe me energjinë që nuk i shteron kurrë. Gladiator!”.

Ledian Memushaj(7)- “Memushaj ishte një “vetëtimë” e rënë nga qielli, mes të shumtave që u zbarkuan në qytet në atë mot jo të qetë, direkt te kundërshtari, duke “paralizuar” gjithë mbrojtjen e tyre me një krosim. Në një farë mënyre, pasi me klasin e jashtëzakonshëm arriti të jepte dy krosime perfekte që u shndërruan në gol. Shumëkush mund të kishte dyshime kur u aktivizua, por fakt është se pa të nuk mund të fitohej”.

Sokol Cikalleshi(6.5)- “Nuk ka rëndësi nëse është me apo pa ekip. Me Kombëtaren po shndërrohet në kohët e fundit. Në tre ndeshjet e fundit, ka arritur të realizojë në të gjitha takimet. Gjuajtja e tij është e pandalshme dhe tund rrjetën e Islandës. Shumë herë më mirë edhe se Balaj në shtyrjen përpara të skuadrës. Ku ishe Sokol?”.

Rei Manaj(6.5)-“I ka të gjitha cilësitë dhe i shfaq përgjatë 90 minutave. Kulmon me pasimin me thembër që iu shërbye Hysajt, me këtë të fundit që vetëm duhej të kalonte portierin. Në duelet fizike ishte i papërmbajtshëm ndaj kundërshtarëve. Lufton për çdo top, shtyn të tijët përpara dhe shpërthen disa herë me driblime”.

Zëvendësuesit

Odise Roshi(7)- “E njëjta histori që përsëritet. Shqipëria është në vështirësi, ka nevojë për golin e fitores dhe vjen Roshi për të zgjidhur gjithçka. Një “as” nën mëngë për trajnerin Reja që arrin të ngrejë peshë tifozët në “Elbasan Arena”. Perfekt!”

Amir Abrashi(6)- “Nivel i jashtëzakonshëm për ato minuta që u aktivizua. Tërësisht i shndërruar në krahasim me takimin ndaj Francës. Merr vendin e Elseid Hysajt dhe pavarësisht se nuk u aktivizua në pozicionin e tij, ka lartësinë e duhur për të ndihmuar ekipin”.

Frederik Veseli(6)- “I saktë dhe i sigurt në mbrojtje. Pas largimit të Gjimshitit, kishte edhe panik për mënyrën sesi mund të perceptonte situata me Veselin në qendër. Por rezultoi si një siguri edhe më e madhe, duke na shpëtuar në dy raste shumë të vështira në zonën tonë”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *