Notat e Kombëtares/ Cikalleshi ishte për kontroll “dopingu”, po Veseli çfarë ishte duke bërë?

Në ndeshjen e zhvilluar në mbrëmjen e djeshme, Shqipëria humbi pa e merituar ndaj Turqisë në shifrat 1-0. Tani shuhet çdo shpresë për kualifikimin, po sa i përket së ardhmes, me lojën e parë gjatë kësaj transferte ka vend për shumë optimizëm. Ndërkohë “Sport Ekspres” publikon edhe notat e Kombëtares:

Thomas Strakosha(4.5)- “Gafa fatale, lot dhe dëshpërim i madh. Në këtë panoramë përshkruese të gardianit shqiptar, gjithçka është e qartë edhe sa i përket vlerësimit. Siç shprehet edhe vetë, nuk ishte aty kur i duhej më tepër Kombëtares. I dalë nga pozicioni i tij, shkon edhe më tej duke penguar Ismajlin që të largonte atë top të rrezikshëm nga zona. Thjeshtë nuk ishte mbrëmja e tij. Gjysmë note për gjithçka të bërë deri në minutën e 89”.

Ardian Ismajli(6.5): “Si Lorik Cana i ri e kemi pagëzuar dhe nuk kemi bërë aspak keq. I pakalueshëm në qendër të mbrojtjes dhe me ndërhyrje vendimtare. Madje edhe kur gabon në pasim gjatë një manovre sulmuese, i futet në sparkat kundërshtarit për t’u mos ndëshkuar me gabimin e kryer. Tipik si kapiteni legjendar. Edhe në golin e pësuar do të ishte një tjetër duel i fituar nga ana e tij mes dy lojtarëve turq, nëse Strakosha nuk do të vinte për ta goditur aksidentalisht”.

Berat Gjimshiti (5)- E njëjta çështje që vazhdon të përsëritet. Të paktën në teori, është mbrojtësi që luan me ekipin më të mirë nga gjithë pjesa tjetër. Duhet të bëj diferencën në këtë rol të fushës te Kombëtarja. Por nuk merr asnjëherë përgjegjësi të madhe për të bërë liderin e mbrojtjes. Është gjithmonë një më shumë. Me Turqinë nuk bën gabim të pafalshëm, por te Shqipëria duhet të bëj më tepër.

Frederik Veseli (6.5): “Veseli, po ti çfarë bëre? Sa shumë dyshime ka pasur mbi këtë futbollist. Teksa luan në Serinë B me Empolin, pakkush mund ta shpjegoj atë nivel ndaj Turqisë. Vendimi i Rejës për ta hedhur si titullar rezultoj perfekt. Nuk kalohej asnjëherë nga kundërshtarët dhe lexonte në përsosmëri çdo aksion. Në një rast kundërsulmi të rrezikshëm duhej të mbulonte dy veta dhe bën më së miri. I ndalon topin para syve të Calhanoglu dhe Yilmaz. Kishte vlerën e një goli të shënuar atje.”.

Kastriot Dërmaku (6): “Duartrokitje edhe për këtë shtyllë të mbrojtjes tonë. I gjendur në stol te Parma, por te Shqipëria nuk shfaq mangësi të mëdha. Dy episode të vogla pakujdesie që mund edhe të kishin kushtuar, përpiqet t’i zgjidh po vetë. Kuptohet më së miri me dy kolegët e tjerë të prapavijës dhe nuk përsëritet ai gabim me Islandën, pavarësisht se kishte shumë tentativa të ngjashme nga ana e lojtarëve turq”.

Keidi Bare (6.5)- Lojtar i klasit të lartë. E ardhma e Shqipërisë bazohet pikërisht te ky lojtar. Sidomos në pjesën e parë, atëherë kur Kombëtarja do të vuante edhe më tepër, dallohej lehtësisht në fushë. Gjithashtu edhe shërbimet për shokët e skuadrës ishin brilante, duke i nxjerrë edhe një top para portës Lenjanit, që nuk arriti ta kontrollonte në mënyrën e duhur. Lodhja bën të vetën në miinutat e fundit, por Bare vazhdon të vrapoj”.

Ledian Memushaj (6): “Sa vjeç është Lediani? Kjo nuk ka rëndësi për të. Të paktën, jo në Kombëtare. Nuk mjaftohej me veprime të thjeshta, por dhuron edhe spektakël në fushën e lojës me disa lëvizje. Nervat e tij spikasin në fushë dhe kjo i kushton kartonin që në minutat e para. Mund të themi se shiriti i kapitenit i qendronte përshtat”.

Klaus Gjasula (6): “Siguri dhe qetësi ofron për prapavijën. Ashtu si edhe në kohën e Kukelit, tashmë jo çdo aksion që kërkojnë të nisin kundërshtarët plaset në mbrojtjen tonë. Përpara saj është një digë e madhe. Me fizikun dhe shtatlartësinë që e ka si një armë shtesë, ky ishte lojtari që na kishte munguar”.

Ermir Lenjani (5.5): “Detyrat në mbrojtje i bën mirë. Por në formacionin e Shqipërisë, pritej që një shtysë më e madhe të vinte nga krahu i Lenjanit. Veselit është më tipik mbrojtës dhe nga krahu tjetër duhej të vinin aksionet sulmuese. Deri diku e mbyll mirë këtë aspekt, pasi ka vend edhe për përmirësime. Nuk e merr mirë pasim e kalibruar të Bares, që mund të sillte edhe golin në pjesën e parë”.

Sokol Cikalleshi (6): “Me siguri që në fundin e pjesës së parë, dikush do të ketë bërë një kontroll “doping” këtij njeriu. Nuk ndalonte për asnjë sekond së vrapuari në fushë. Pavarësisht se qendërsulmuesit nuk shquhen për shpejtësi, Cikalleshi po i linte mbrapa të gjithë kundërshtarët edhe me sprint. Pastaj kur flitej për duele fizike, nuk vendoseshin në diskutim që fitoheshin vetëm nga sulmuesi shqiptar”.

Rei Manaj (4): “Kjo ishte ndeshja kur Cikalleshi shërbente si një “kal pune” dhe Manaj duhej t konkretizonte. Sa shumë raste që humbi, pafundësisht shumë. Ka egoizmin e duhur të një sulmuesi, por që e tepron. Në dy raste zgjedh të godas vetë dhe jo të pasojë, ku mund t’I afroheshim më shumë golit. Pastaj ai rast i falur me portën e boshatisur pas pasimit të Roshit ishte për të vënë duart në kokë. Tre minuta pas këtij rasti i vjen një tjetër mundësi e mirë për t’u gjendur përballë portierit kundërshtar, por këmbët nuk e mbanin më, Gjithçka tjetër po e bënte Cikalleshi për të. Nëse një prej rasteve të shumta do të dërgohej në rrjetë, atëherë e gjithë Shqipëria do të bëhej “bllok” në prapavijë dhe nuk do të kishte vend për golin e pësuar. Dështimi i mbrëmjes”.