Nostalgji dhe ambicie, Musta: Flamurtari ia del në Durrës!

Mesfushori elbasanas luajti dy sezone me durrsakët, të cilët i respekton maksimalisht, por beson se vlonjatët mund të marrin rezultat edhe në transfertë

Elton Nika

Teuta-Flamurtari pritet me më shumë emocione nga disa lojtarë në të dyja skuadrat. Ardit Shehaj dhe Arbër Beqja kanë kaluar në verë te durrsakët, ku luajnë gjithashtu edhe portieri Moçka dhe mesfushori Lena, dy ish-lojtarë të Flamurtarit, por ishi i madh është Gugash Magani, trajneri peqinas që ka punuar dy herë në Vlorë dhe tani drejton Teutën. Në radhët e vlonjatëve luan Emiljano Musta, i cili erdhi pikërisht nga Teuta. Elbasanasi shënoi golin e tretë të ndeshjes me Lushnjën, kus ishte titullar, pas paraqitjes së mirë dhe golit në kupë me Dinamon. Dy gola brenda pak ditësh për mesfushorin, që po luan si mbrojtësi majtë në formacionin e trajnerit Duro.

TEUTA – Pritet të jetë një ndeshje e veçantë ajo e së dielës për Mustën, që kërkon suksesin e radhës me Flamurtarin, edhe pse luhet në një fushë shumë të vështirë: “Ndeshja me Teutën do të jetë e veçantë për mua. Eshtë ish-ekipi im, kam luajtur këto dy vitet e fundit, por mendoj se do të jetë një ndjenjë e mirë. Do të kem emocione të luaj ndaj një skuadre, që e respektoj maksimalisht, ashtu si dhe drejtuesit e tifozët e saj. Teuta e ka nisur shumë mirë sezonin, ka dy fitore me Luftëtarin dhe Vllazninë në Shkodër. Një nisje shumë e mirë për këtë skuadër, që ka treguar ambiciet e saj për këtë kampionat. Por dua të them se Flamurtari në çdo ndeshje luan për fitore. Eshtë një ekip i madh dhe nuk mjaftohet vetëm me fitoret në shtëpi. E rëndësishme mbetet që edhe në ndeshjet në transfertë të marrim maksimumin, kështu që do të luftojmë fort në çdo fushë. Duhet të shohim takim pas takimi, sepse është vetëm fillimi. Janë luajtur vetëm dy javë. E kemi nisur me humbje në Korçë, pastaj kemi fituar me Lushnjën dhe tani duam të vijojmë në këtë rrugë. Takimi në Durrës do të jetë shumë i vështirë dhe mendoj se kush gabon më pak, merr rezultat. Shpresoj se do t’i takojë Flamurtarit, por duhet të jemi shumë të përqendruar në fushë  e të japim gjithçka. Objektivi? E rëndësishme është ndeshja e radhës, tani është Teuta. Pastaj, si do të ecin gjërat dhe a do të realizohen objektivat, llogaritë do të bëhen në fund”, – ka theksuar dje Emiljano Musta, një nga lojtarët më në formë të skuadrës vlonjate për momentin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *