Norvegjia vjen në Shqipëri me një fitore spektakolare

Ola Kamara shënoi një tregolësh, duke qenë vendimtar në fitoren 4-1 që Norvegjia arriti sot ndaj Australisë, në një miqësore luajtur në Oslo. Ishte ndeshja e parë në drejtim për trajnerin holandez Bert van Marvijk në drejtimin e “Kangurëve”, që kanë bërë disa zgjedhje të çuditshme, sepse në nëntor u largua Ange Postekoglu dhe Van Marvijk do të qëndrojë deri në Kupën e Botës, me Graham Arnold që është caktuar që tani trajner duke nisur nga përfundimi i aventurës australiane në Botërorin rus. Australia shënoi e para, me Xhekson Irvajn pas 19 minutash, por paraqitja e Australisë ishte mediokre.

Ola Kamara barazoi në minutën e 36-të, pas një pasimi nga  Eljunusi, ndërsa mbrojtësi i Rozenborgut Tore Reginiusen shënoi me kokë në minutën e 48-të. Në minutat 57 e 91 erdhën edhe dy gola nga Ola Kamara, sulmues në formë të shkëlqyer, që në dy vitet e fundit ka shënuar gola pa fund në kampionatin amerikan, ku aktivizohet me LA Galaksi, që sapo ka firmosur me Zllatan Ibrahimoviç.

“Ullevaal Stadion” nuk ishte i mbushur për këtë miqësore (vetëm 5271 bileta të shitura), por Norvegjia shkëlqeu dhe goli australian erdhi kundër logjikës së lojës.

Norvegjia luajti me formacionin e vet më të mirë dhe kreu vetëm dy zëvendësime, ndërsa me trajnerin Lagerbek, arkitekti i Islandës mahnitëse në Euro 2016, duket se Norvegjia po gjen rrugën e duhur.

Miqësore

Norvegji – Australi            4-1

Norvegjia: Jarstejn, Reginiusen, Elabdellaui, Meling, Ajer, Johansen, Henriksen, Mitsjo (Odegard 78’), Eljunusi (Fosum 87’), Ola Kamara, Jonsen.

Trajner: Lars Lagerbek

Australia: Rajan, Behiç, Rajt (Shushnjar 52’), Degenek, Miligan, Xhedinak (Luongo 61’), Leki (Rukavicja 85’), Moj, Irvajn (Rogiç 61’), Nabut (Juriç 67’), Petratos (Kruze 74’).

Trajner: Bert van Marvijk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *