Nojer rikthehet, Don Karlo pret një blerje të fundit

0

Beteja e radhës e Bajernit në Bundesligë do të luhet sot me Verder Bremenin në transfertë. Skuadra e Karlo Ançelotit pritet ta ketë të lehtë, sepse kundër kësaj skuadre krenohet me një rekord mbresëlënës me fitore në të 15 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet dhe me faktin që nuk humbet prej 20 ndeshjesh. Sulmuesi Robert Levandovski ka shënuar 8 gola në 10 ndeshje të luajtura kundër Verder Bremenit në karrierën e tij.

Ançeloti

Trajneri i Bajernit, Karlo Ançeloti, në konferencën e djeshme për shtyp dha një lajm të mirë për çdo tifoz bavarez i cili ëndërron edhe një blerje tjetër në këtë merkato vere. I pyetur nëse klubi do të bëjë edhe një lëvizje tjetër, ndoshta duke menduar për ndonjë sulmues të dytë në vend të polakut Levandovski, ai nuk e mohoi. “Nuk e përjashtoj kategorikisht si mundësi. Duhet të presim edhe një javë. Gjithçka mund të ndodhë, asgjë nuk është e pamundur”, – tha italiani. Pra, me pak fjalë, brenda kësaj jave kampionët e Gjermanisë mund të zyrtarizojnë një blerje të fundit. Në lidhje me Hames Rodrigezin, i cili po stërvitet veçmas pas dëmtimit në kofshë, Don Karlo saktësoi: “Hames do të vizitohet në Mynih të hënën dhe, nëse do të jetë mirë, nuk e kam problem që ai të grumbullohet me kombëtaren kolumbiane”. Për çështjen e mesfushorit Renato Sançes, i cili mund të huazohet te një skuadër tjetër, 58-vjeçari u tregua i hapur. “Konkurrenca këtu është e madhe. Nëse ai qëndron, do të jem i lumtur. Nëse vendos të provojë veten diku ku mund të luajë më shumë, e mirëpres largimin e tij”.

Nojer

Lajmi tjetër i mirë për bavarezët është se sot pritet rikthimi i portierit Manuel Nojer. Kapiteni ka që nga fundi i sezonit të kaluar që nuk luan, por tashmë është gati, ashtu si edhe Tiago Alkantara dhe Havier Martinez. Sot mungojnë vetëm tre lojtarë, Huan Bernat, Zherom Boateng dhe Hames Rodrigez. Pra, skuadra e Bajernit po formohet e tëra me yjet të gjithë gati për lojë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image