Nojer: Jemi ende të uritur. Më vjen keq për Ter Stegen

Manuel Nojer është rikthyer, gradualisht, pas një mungese të gjatë, thuajse një sezon. Një dëmtim në mesin e muajit shtator i dogji sezonin, por i rrezikoi edhe Kupën e Botës. Megjithatë, kapiteni bëri gjithçka për t’u riaftësuar sa më shpejt dhe në qershor ka luajtur dy ndeshjet e para të vitit, fillimisht nga stoli kundër Austrisë dhe më pas si titullar kundër Arabisë Saudite, ku luajti nga minuta e parë dhe u duk në formë perfekte, duke dhuruar spektakël me këmbë. Në pushim u zëvendësua, por Nojer qetëson: “Asnjë problem, ndërrimi ishte i planifikuar. Edhe Ter Stegen ka nevojë të luajë”.

MUNDËSIA E MUNGESËS NË BOTËROR – “Nuk e humba kurrë besimin se do shkoja në Kupën e Botës dhe tani jam i bindur se mund ta përballoj. Megjithatë, kur je i dëmtuar dhe ndjek procesin e riaftësimit ditë pas dite, ka momente negative, ku morali është përtokë. Ka qenë një periudhë e vështirë, por edhe me aspekte pozitive. Unë jam gjithmonë optimist dhe e kisha para syve finishin që synoja. Po të mos besoja, nuk do isha duke folur për Botërorin tim tani”.

SINJALI I RIKTHIMIT TË FORMËS – “Muajin e shkuar nisa të stërvitesha me Bajernin. Më pas me Kombëtaren shijova çdo seancë stërvitore, çdo ditë më dukej si një provim i kaluar me sukses. E ndjeja që isha mirë, ndjesitë vlejnë më shumë se radiografitë, në disa raste”.

FRIKA – “Nuk kam fare frikë nga përsëritja e mundshme e dëmtimit. Rreziku i një dëmtimi vlen për mua, ashtu si për gjithë lojtarët e tjerë. Kam besim, jam shumë i motivuar dhe një portier nuk duhet t’i transmetojë frikë skuadrës”.

MUNGESA TE BAJERNI – “Më vjen keq që nuk luajta dot në fund të sezonit, por nuk mund të rrezikoja”.

TER STEGEN KTHEHET NË STOL – “Kemi marrëdhënie të mira, në stërvitje flasim, dialogje normale të fushës. E kuptoj gjendjen e tij shpirtërore, vjen nga një sezon i mirë te Barcelona. Të gjithë duam të luajmë, por këto janë pozicionet. Ai megjithatë është i çmuar për skuadrën, edhe në punën e përditshme”.

GJERMANIA MBRON TROFEUN – “Nuk ndryshon asgjë, Gjermania gjithnjë është skuadra që duan ta mundin të gjithë, ndaj pak rëndësi ka nëse futemi si kampionë në fuqi. Kemi më shumë eksperiencë se para 4 vitesh, uria për fitore mbetet e njëjtë”.

GUNDOGAN, OZIL DHE FOTOT ME ERDOGANIN – “Mëkat, tifozët po i fishkëllejnë në çdo ndeshje, edhe pse Gyndogan ka folur në televizion dhe është munduar të sqarohet. Nuk është një situatë e thjeshtë, e gjithë skuadra është e shqetësuar nga një histori e tillë. Ne jemi futbollistë, duam të mendojmë për futbollin, për esencën e një Botërori, kaq ka rëndësi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *