Njeriu i tre kontinenteve, Najdenov zbulon Laçin: Të rinj dhe të uritur, nuk kemi frikë askënd

Bojan Najdenov për shqiptarët ishte askush deri para pak muajsh, ndoshta edhe tani ka shumë njerëz që nuk ia kanë dëgjuar emrin, por pak nga pak po e njohin. Luan për Laçin, nuk është në qendër të vëmendjes, do ishte ndryshe po të luante për Skënderbeun a Partizanin.

Megjithatë, Najdenov ka bërë një zgjedhje të menduar mirë, dëshiron së pari të kthehet Najdenovi më i mirë i mundshëm. Bëhet fjalë për një mesfushor 27-vjeçar nga Maqedonia që disa gjëra i ka bërë në jetë, me të cilat mund të krenohet kur të lërë futbollin.

Ka luajtur disa ndeshje me kombëtaren maqedonase në periudhën 2014-2016, edhe luante te Turnovo e më pas te Rabotniçki. Kampion nuk ka dalë, por ka fituar dy kupa, të parën në Maqedoni me Turnovon.

Verën e vitit të shkuar e vendosi: ishte koha të merrte fluturimin, larg Maqedonisë, për të menduar edhe për eksperiencë të re, por edhe për anën financiare, sepse një futbollist e ka të shkurtër karrierën.

Destinacioni i ri ishte i çuditshëm, në Egjipt te Smouha, në një kampionat të veçantë, që luhet pa tifozë për shkak të frikës së qeverisë nga tubimet, që nga sportive mund të kthehen në mitingje politike.

Najdenov, gjatë prezantimit tek Esteglal në Iran

Ambientim i vështirë, pak ndeshje në Egjipt dhe ishte koha për të lënë Afrikën, duke shkuar në një tjetër kontinent, në Azi, sepse në shkurt të këtij viti firmosi për Esteglalin e Iranit. Klub i madh, tifozë pa fund dhe kontratë milionere (450 mijë euro për 1 vit e gjysmë, thuhej në Maqedoni). Gjithçka perfekte? Jo dhe aq, sepse një dëmtim i rëndë në prill ia prishi planet dhe Najdenov vendosi të kthehej në Europë, më saktë në Ballkan.

Në korrik bisedoi dhe arriti marrëveshjen me Akademijan në Maqedoni, por një telefonatë nga Laçi në gusht ia prishi mendjen dhe Bojan u transferua në Shqipëri. Nuk dinte asgjë për Laçin, por dinte që në Shqipëri paguajnë më shumë se në Maqedoni. Me siguri ka shumë të njohur e miq këtu, me siguri i kanë thënë që nuk i kemi fort serioze klubet kur bëhet fjalë për kontratat, por Laçi bën përjashtim. Nuk paguan miliona kot më kot, por aq sa premton i jep gjithmonë dhe kjo i mjafton Najdenovit, që në Laç po kthehet në një far ndriçues në mesfushë. Teknikë dhe vizion i rrallë loje, edhe pse pa vrapuar pa fund, pak a shumë si Cetkoviç, një tjetër lojtar “zbulim” i Laçit të Pashk Laskës, që çuditërisht “gjuan” lojtarë mjaft cilësorë nëpër Ballkan.

Për “Sport Ekspres”, Najdenov ka folur pas fitores së fundit, kundër Skënderbeut, ku maqedonasi luajti ndeshjen e tetë si titullar në këtë sezon, duke u përmirësuar gjithnjë e më shumë fizikisht…

Najdenov, arritët një fitore të madhe ndaj Skënderbeut. A e prisnit?
-Në fakt, duke ditur emrin dhe forcën e Skënderbeut, prisnim një ndeshje të vështirë dhe ashtu ndodhi. Ishin 90 minuta mjaft të luftuara dhe fizikisht të lodhshme, kemi vrapuar shumë si skuadër. Ndonëse duket e lehtë kur e sheh rezultatin, jemi sforcuar shumë për ta mbyllur me sukses dhe jemi të lumtur.

Para ndeshjes çfarë mendonit, ishte fitorja një synim real?
-Shiko, kemi luajtur 2 muaj futboll këtë sezon dhe tashmë e dimë forcën tonë dhe i njohim rivalët. Respekt kemi, për Skënderbeun dhe gjithë rivalët, por frikë jo. Kemi mundur edhe më parë ekipe të fortë, kemi marrë pikë në ndeshje të vështira dhe e dinim që nuk jemi rastësisht aq lart në renditje, ndaj e mendonim edhe fitoren.

U duk sikur u kapi një moment krize kur humbët ndaj Teutës e Kukësit, por me Memellin ka ndryshuar gjithçka.
-Pësuam dy humbje dhe skuadra u trondit, me të drejtë. Është një skuadër e re, jo rastësisht unë jam ndër veteranët këtu për nga mosha, ndaj është normale që të ketë edhe momente negative. Megjithatë, kemi punuar shumë, jashtëzakonisht, dhe trajneri Memelli na njeh mirë, sepse ka qenë edhe më parë në staf, ndaj nuk është se ndryshoi ndonjë gjë e madhe. Thjesht jemi munduar, të bashkuar, së bashku me trajnerin, për të gjetur zgjidhjet e problemeve që kemi shfaqur. Në dy ndeshjet e fundit kemi bërë gjëra të mira, shpresojmë të vazhdojmë kështu.

Të vazhdoni kështu, por cili është destinacioni?

Nuk kemi destinacion të caktuar në mendje, presidenti nuk na kërkon titullin kampion dhe e dimë që ka skuadra më të kompletuara se ne, qoftë edhe në aspektin e eksperiencës. Megjithatë, Laçi luan prej vitesh në kupat e Europës dhe aty duam të shkojmë. Skuadra është e re, vërtet, por ka një uri të jashtëzakonshme, shihni edhe ndeshjen kundër Skënderbeut, djemtë kanë vrapuar si të tërbuar gjithë ndeshjen, kanë sakrifikuar në çdo top, duke rrezikuar edhe dëmtime serioze.

Meqë jemi te dëmtimet, si je fizikisht, pasi vjen nga një dëmtim i rëndë?
-Po, nuk kam pasur fat, sepse këtë vit sapo shkova në Iran u dëmtova rëndë dhe mbeta 5 muaj pa futboll. Kam vuajtur jo pak, por tani jam i lumtur, po luaj, më respektojnë dhe po ecim shumë mirë.

Ke qenë në Afrikë e Azi, po Shqipëria, si doli në skenë?
-Nuk kam pasur kurrë frikë nga eksperiencat e panjohura, ndaj kam shkuar në Egjipt e Iran. Të dyja kanë kampionate të fortë, sidomos në Iran ka futboll cilësor, stadiume të mbushur për klubet e mëdha dhe shumë ritëm. Nuk më eci në Iran, por kur më kërkuan në Shqipëri nuk hezitova, pranova me kënaqësi, edhe për faktin se kam shumë lojtarë që i njoh këtu.

Në Iran ka edhe paga të larta, ndërsa në Shqipëri shpesh pagat mbeten në letër…
-(Qesh) Këtë pjesë nuk e di, nuk e kam provuar ende. Kam pak muaj në Shqipëri, jam i kënaqur, në çdo drejtim. Klubi im është shumë korrekt, për të tjerët nuk kam ç’të them, ju i njihni më mirë se unë. Gjithsesi, probleme me pagat ka kudo në vendet si Shqipëria, edhe në Iran ka shumë lojtarë që i kanë marrë pagat me gjyqe.

Po cilësia?
-Më kanë folur mirë për kampionatin shqiptar dhe ashtu po më rezulton, është një kampionat i fortë, ka goxha lojtarë të mirë. Ritmi është i lartë në ndeshje të caktuara, më i ulët në disa raste, por për mua është futbolli ideal, sepse pika ime e fortë nuk është shpejtësia, por teknika dhe shpërndarja e lojës. Po jap maksimumin për të arritur maksimumin tim dhe po përshtatem mirë, ndaj besoj se do të shkojë gjithnjë e më mirë, për mua dhe Laçin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *