Njeriu i momentit Zhorzhinjo: Pse zgjodha Sarrin përpara Guardiolës

Çelsi momentalisht po bën një fillim sezoni mjaft të mirë. Nën drejtimin e Mauricio Sarrit blutë e Londrës, ndajnë vendin e dytë me Sitin, me vetëm dy pikë më pak se Liverpuli i vendit të parë. Një meritë e madhe padyshim i takon trajnerit italian, por gjithashtu meritë kanë edhe lojtarët.

Ai i cili po përflitet akoma më shumë se Sarri në ambientin e bluve, është padyshim Zhorzhinjo. Mesfushori italian nga ditë në ditë po bëhet ndër lojtarët më të rëndësishëm për Çelsin. 26-vjeçari u transferua në Londër për shumën e konsiderueshme të 57 milionë eurove dhe duket se po e justifikon këtë shumë me paraqitjet e tij.

Pikërisht për aventurën e tij tek Çelsi dhe për transferimin e tij tek blutë, mesfushori ka folur për mediat angleze. Kujtojmë, Zhorzhinjo përpara se të kalonte te Çelsi, ishte shumë pranë transferimit tek Mançester Siti. Për sa i përket kësaj çështje italiani ka thënë se, arsyeja kryesore që refuzoi Guardiolën ishte padyshim ardhja e Sarrit te Çelsi.

“Ka shumë gjëra që ndodhin në prapaskenë gjatë një transferimi. Besoj se mbërritja e Sarrit luajti një rol të madh në kalimin tim në Londër. Çelsi është një klub i tillë i madh. Kështu që këta faktorë më ndihmuan të zgjedh. Sarri është një trajner i madh. Ai gjithnjë është në humor dhe i qeshur. Nuk më telefonoi për të më thënë që të zgjidhja Çelsin, sepse ai nuk është i tille, për të telefonuar lojtarë, por natyrisht, përmes agjentëve, e dija se çfarë ishte dëshira e tij. Loja e Sarrit është shumë ofensive dhe trajneri punon shumë në aspektin taktik. Mjafton të shikojmë produktin përfundimtar, se si Napoli dhe Çelsi luajnë tani”, përfundoi ylli i bluve të Londrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *