“Njerëz të këqinj sillen rehat rrugëve, ne futbollistët mbyllemi brenda prej tifozëve!”

Gonzalo Higuain ka shënuar gola gjatë gjithë karrierës së tij, ndërsa këtë sezon gjërat nuk po ecin mirë. Vetëm 11 rrjeta të tundura mes Milanit e Çelsit dhe shumë kritika në drejtim të tij.

Sulmuesi argjentinas zbulon për “ESPN” se ka raste kur detyrohet të mbyllet brenda në shtëpi për të mos dëgjuar komentet negative të tifozëve.

31-vjeçari i “Bluve të Londrës” ka përfunduar shumë herë edhe në “sulmin” e tifozëve argjentinas për paraqitjet e tij me kombëtaren latine. Sadopak është mësuar, por Pipita nuk arrin të kuptojë gjithë këto fjalë dhe kritika që qarkullojnë për të dhe futbollistët në përgjithësi.

Shpeshherë mbyllem në shtëpi dhe nuk dal jashtë prej frikës se çfarë do të më thonë njerëzit. Ndihem keq për këtë situatë. Ka njerëz që bëjnë gjëra të këqija dhe sillen vërdallë qetësisht pa ndjerë pikë turpi. Pyes veten se pse ne futbollistët, të cilët nuk bëjmë asgjë të gabuar, nuk mund të dalim nga shtëpia?

Njerëzit merren gjithmonë me faktin që fitojmë shumë, por ndjenjat nuk kompensohen me para. Në 14 vitet e fundit kam kaluar Krishtlindjen dhe ditëlindjen time me njerëz të ndryshëm. Për të qëndruar me mua, babait tim i duhet të bëjë 15 orë fluturim. Por njerëzit nuk e vrasin mendjen për diçka të tillë, merren vetëm me golat që shënojmë dhe paratë që fitojmë. Sinqerisht që më duket pak e ekzagjeruar, pavarësisht se tashmë jam mësuar”, përfundon Gonzalo Higuain.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *