Një vit Inter “kinez”, shumë miliona e pak rezultate

Qershorin e shkuar Interi kalonte në duart e kompanisë së fuqishme kineze Suning, që bleu shumicën e aksioneve, duke i lënë 31,05% Erik Tohirit, që mbetet ende president, deri në tetor. Qendra stërvitore Appiano Gentile u riemërtua Suning Training Center dhe u bënë ndryshime të mëdha, por ditëlindja e parë e Interit “kinez”, që koincidon me emërimin në drejtim të Luçiano Spaletit, nuk është për t’u festuar me pompozitet.

12 muaj më parë në Nanzhing Erik Tohir i shiti pjesën më të madhe të Interit grupit Suning, një ndër më të pasurit në Kinë, por pritshmëritë e mëdha nuk janë justifikuar, deri më sot.

Një vit aspak i lehtë për kinezët, që kanë një projekt afatgjatë dhe kanë futur në arkat e Interit më shumë se 400 milionë euro, përveç sponsorizimeve që do të ndihmonin për të plotësuar normat Fair-Play të UEFA-s, ndërkohë që Steven Zhang u transferua në Milano, ku punon me kohë të plotë për ringritjen e Interit. Sforcime të mëdha, por rezultate në fushë shumë pak. Edhe për faktin se Suning nuk ka shumë eksperiencë në sport dhe jo rastësisht edhe klubi i futbollit Zhiangsu Suning nuk ka arritur asnjë rezultat në Superligën kineze, pavarësisht nga investimet e mëdha.

Fillimisht ishin Tohir dhe Bolingbrouk ata që menaxhonin Interin, ndërsa tani gjithçka është në duart e familjes Zhang, ndërsa në Tohir me shumë mundësi “do të hapë krahun” përfundimisht.

Organizimi i klubit është ai që duket se çalon: kinezët javët e fundit kanë vendosur t’i besojnë gjithçka Valter Sabatinit, por drejtori i ri do të mbulojë edhe klubet e tjera të Suningut dhe nuk kuptohet qartë si do të funksionojë hierarkia te klubi zikaltër. Shembulli më i qartë është ai i Lele Orialit, menaxheri aktual i kombëtares italiane, i cili në muajt e fundit ka biseduar për rikthimin tek Interi dhe ka arritur një paramarrëveshje, por më pas qetësi totale. Oriali do të jetë shef delegacioni i U-21 në Europian, ndërsa në korrik pritet tek Interi, por nuk është çudi që të vazhdojë me kombëtaren, ose të shkojë te Çelsi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *