Një tjetër “shqiponjë” te Lacio, njihuni me sulmuesin që u bë… portier!

Lacio do të luajë sot në Qipro kundër Apollonit të Limasolit për Europa League. Bardhekaltrit janë kualifikuar, kështu që Simone Inzagi ka mundësinë për të lënë pushim titullarët e tij dhe t’iu japë shansin lojtarëve të rinj.

Trajneri i Lacios ka grumbulluar 3 lojtarë nga ekipi i të rinjve dhe mes tyre është dhe Marko Alia. 18-vjeçari luan si portier dhe aktivizohet me Shqipërinë U19. Ai do të shijojë grumbullimin e parë me Lacion e madhe.

Përveç tij Inzagi do të grumbullojë dhe Nikolo Arminin dhe Edoardo Rezin. I pari është kapiteni i të rinjve, aktivizohet si qendërmbrojtës dhe është grumbulluar në sezonin e kaluar në ndeshjen e europës kundër Zulte Varegem. Ndryshon puna për portierin shqiptar dhe mesfushorin ofensiv, Rezin, të cilët do të provojnë emocionet e grumbullimit me ekipin e parë.

Alia ka lindur në Itali, babai i tij punon si inxhinier dhe mamaja si arsimtare. Ka dy pasaporta, por ka vendosur të përfaqësojë ngjyrat e origjinës së tij, ato kuqezi, më të bukurat në botë. Kundër Apollonit ai do të jetë portieri i tretë i Lacios dhe ka zgjedhur numrin 50. Futbollin e ka nisur duke luajtur në kopshtin e shtëpisë së tij, ndërsa më parë luante si sulmues.

Një dëmtim i portierit e vendosi në portë, për të mos lëvizur më nga ai post. Është i talentuar, frymëzohet nga Manuel Nojer dhe luan mirë me këmbë, pasi e ndihmon dhe e kaluara si sulmues. Sonte do të jetë në pankinën e Lacios, ekipit që është kthyer në vitet e fundit në një koloni shqiptarësh.

Shpresojmë që kjo të jetë pikënisja e një karriere të madhe për të, ndërsa kjo gjë është pozitive dhe për Shqipërinë, pasi ai premton shumë dhe në të ardhmen mund të jetë një vlerë e shtuar e kombëtares kuqezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *