Një tjetër emër për stolin e Realit, Perez me plan të dyfishtë

Santiago Solari vazhdon punën si trajner i Realit të Madridit dhe sot do të debutojë në kampionat në ndeshjen kundër Vajadolidit në “Santiago Bernabeu”. Argjentinasi është i “përkohshëm” në stolin e ekipit “merengues”, ndërsa drejtuesit vazhdojnë punën për të sjellë në Madrid një trajner të madh.

Shumica e preferencave të Florentino Perez janë nën kontrata me klubet e tyre si: Poçetino (Totenhem), Murinjo (Junajtid), apo Martinez (Belgjika). Megjithatë, në ditët e fundit ka dalë në skenë një tjetër emër dhe ky është Leonardo Zhardim.

Portugezi mbylli eksperiencën e tij me Monakon para pak kohësh dhe siç citon “Marca”, 44-vjeçari është një emër i preferuar te Reali i Madridit. Sezoni i kaluar dhe fillimi i këtij sezoni ishte i vështirë për të dhe Monakon, por para dy vitesh ai fitoi titullin dhe dërgoi ekipin nga principata në gjysmëfinalet e Champions Ligës.

Përveç aftësive të tij, Reali mendon të zgjedhë Zhardim për stolin dhe për një shkak tjetër. Flasim për Kilian Mbape, objektivin kryesor të Real Madrid në merkato. Portugezi ishte personi që i dha besim dhe e reklamoi në futbollin e madh talentin francez. Me Zhardim në stol, Reali do e kishte më të lehtë për të bindur Mbape për t’u transferuar në Madrid.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *