Një tifoz i vogël i dhuron 5 sterlina heroit të Hadërsfilldit ndaj Junajtidit

 

Një fëmijë, tifoz i Hadërsfilldit, Adam Bhana i ka shkruar një letër me shkrim dore drejtorit të këtij klubi Shon Xharvis, duke i shpjeguar se të shtunën kur Hadërsfilldi mundi Mançester Junajtidin, ai ka gjetur në stadium një bankënotë 5 sterlina. Si mirënjohje për paraqitjen e bërë kundër Junajtidit, ai ka vendosur që këtë shumë t’ia dhurojë mesfushorit Aron Moj, autori i golit të parë në fitoren 2-1 të Hadërsfilldit.

Në letrën drejtuar klubit Adam ka shkruar: “Isha në ndeshjen e Hadërsfilldit kundër Junajtidit. Në stadium gjeta 5 sterlina dhe ia dhashë babait, sepse ne nuk mund të mbajmë diçka që nuk është jona. Ju lutem, a mund të pyesni trajnerin Vagner, nëse këtë bankënotë mund t’ia japë Aron Mojit, sepse ai luajti shumë mirë. E kam futur bankënotën në zarf. Faleminderit.”

Drejtori i Hadërsfilldit, Zharvis e ka cilësuar “klas” letrën e tifozit, ndërsa mesfushori i këtij ekipi ka shkruar në rrjetet sociale se do të takojë tifozin për ta falënderuar për gjestin. Interesant është fakti se babai i fëmijës zbulon se i biri dëshironte fillimisht që në letër t’i shkruante klubit që t’i përdorte paratë për të blerë Kristiano Ronaldon, por i ati i shpjegoi se 5 sterlina ndoshta nuk dalin për portugezin e Realit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *