Një shqiptar në Estoni, Basha debuton në kampionat

Mesfushori shqiptar Arbër Basha ka luajtur ndeshjen e parë në kampionatin estonez, ku prej pak javësh ka firmosur për Trans Narvan.

20-vjeçari, i cili ishte pjesë e Kamzës gjysmën e dytë të sezonit të shkuar, kërkoi një aventurë tjetër larg Superiores, pas disa muajve në Kosovë, duke kërkuar eksperiencë në Estoni, një kampionat ku besohet shumë tek të rinjtë.

Trans Narva mori pjesë në Europa League këtë verë dhe Basha luajti në të dy ndeshjet kundër boshnjakëve të Zheljezhniçarit, ndërsa sot ishte titullar në ndeshjen e kampionatit kundër Tamekas, në Tartu.

Narva u mund 2-1, me golat që u shënuan në pjesën e parë, ndërsa Basha u zëvendësua në minutën e 74-t.

Humbja, e dyta rresht në kampionat, nuk ia prish renditjen Narvas, që mbetet në vendin e katërt, shumë larg ndjekësve, ndaj është sërish një pozicion që mund të vlejë një vend në Europa League për sezonin e ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *