Një profesion i ri vjen për futbollin shqiptar, tashmë do të kemi edhe video-analistë

Federata Shqiptare e Futbollit njofton për krijimin e profesionit më të ri në Shqipëri, atë të video-analistit, i cili do të ndihmojë trajnerët dhe ekipet për rritjen e performancës sportive. Për këtë profesion ka nisur ditën e sotme edhe kursi i parë, që fillimisht do të jetë në nivel bazik dhe ku do të marrin pjesë 16 trajnerë.

Ndërkohë, për klubet e Superiores si dhe ato të Kategorisë së Parë ky kurs ofrohet falas nga ana e FSHF-së, e cila i ka ofruar edhe aksesim në platformën e blerë së fundmi WyScout të gjitha klubeve./Sport Ekspres/

Njoftimi i plotë:

Departamenti i Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit, i cili u prezantua për klubet dhe publikun javën e shkuar, ka filluar aktivitetin e tij. Ditën e sotme ka nisur kursi i parë, niveli Bazik, për Video-Analistë, një profesion i ri ky që po lind në Shqipëri.

Në këtë kurs marrin pjesë 16 trajnerë, të cilët përfaqësojnë klubet e Kategorisë Superiore, Kategorisë së Parë dhe akademi sportive. Ky kurs për Klubet e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë ofrohet falas nga Federata Shqiptare e Futbollit ashtu si edhe platforma WyScout që është blerë nga FSHF dhe çdo klubi i janë dhënë dy llogari për aksesimin e kësaj platforme.

Video-Analistët pas përfundimit të këtij kursi, do të ndjekin dhe Nivelin e Avancuar në muajin nëntor dhe më pas do të përdorin dhe WyScout, ku nëpërmjet të dhënave do të ndihmojnë trajnerët dhe ekipin për rritjen e performancës sportive.