Një natë e veçantë për Hamshik, titullin ia dorëzon vetë trajneri i Shqipërisë

Data 10 dhjetor do të jetë e rëndësishme për ekipin e Napolit. Italianët do të synojnë kualifikimin për fazën me eleminim të Champions League, por në të njëjtën kohë një ceremoni tjetër e një rëndësie të madhe do të mbahet. Marek Hamshik, i cili për 12 vite ka mbajtur veshur fanellën e kaltër të Napolit, do të bëjë xhiron përshëndetëse rreth fushës për të përshëndetur kështu tifozët e klubit për të cilin ai ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në krahë.

Ndërkohë, një e veçantë në këtë histori është edhe prezenca e trajnerit të Kombëtares shqiptare, Edi Reja, që pritet t’i dorëzojë lojtarit, që për vite ishte edhe simboli i Napolit, një emblem në nder të kontibutit të tij për ekipin. Arsyeja e përzgjedhjes së Rejas për të bërë një veprim të tillë është pikërisht fakti, se kreu i stolit kuqezi është edhe trajneri i parë i Hamshik te skuadra napoletane. Gjithashtu, Reja do e shfrytëzojë këtë rast edhe për të parë gjendjen e mbrojtësit shqiptar, Elseid Hysaj, nëse ky i fundit do të gjejë minuta në ndeshjen kundër Genk./Sport Ekspres/