Një “Murinjo” i çuditshëm si Marantas, 2 muaj te Luftëtari ishin më të gjatat si trajner

Nëse mendoni se për Marantas shkarkimi nga Luftëtari pas dy muajsh ishte një dështim për trajnerin, jeni duke gabuar. Për karrierën e teknikut grek kjo ishte periudha e dytë ku ka qendruar më gjatë në karrierën e tij si trajner. Nëse do të qendronte edhe për dy ndeshjet e radhës, atëherë do të barazonte kohën kur ishte tek Acharnaikos, ku ka qendruar më tepër se në çdo vend tjetër, për 14 ndeshje.

Por bëhet fjalë për një ekip të elitës në Shqipëri dhe një tjetër që është i dorës së dytë në Greqi, prandaj kjo aventurë te bluzinjtë peshon më shumë. Me shijen e lënë në Shqipëri, valixhet e Marantas janë bërë gati për t’u mos kthyer më kurrë në vendin tonë. Gjithmonë i gatshëm për të hapur polemika me mediat, a thua se ishte pikërisht ky fajtori i asaj situate dramatike? Apo për t’u kthyer te intervista e Cerezo Hilgen. Ky i fundit pak ditë më parë do të shtronte pyetjen retorike: “Unë pyes veten, për sa kohë do të qendrojë te Luftëtari. Erdhi dhe bënte si Murinjo, duke harruar që po vinte nga kategoria e dytë greke. Nisi menjëherë me ulërimat ndaj meje, që në ditën e parë”, do të shprehej Hilgen. Kjo duhet të shërbej edhe si një mësim për drejtuesit e klubit, që në këtë aspekt, nuk duhet të provohen më zgjedhje të ngjashme, pasi Marantas po largohet i fituar. /Sport Ekspres/