Një mesfushor venezuelan nis provën të Luftëtari, pritet edhe një portier

20-vjeçari nga Venezuela, Rikardo Travaljo, është bashkuar me gjirokastritët dhe do të testohet nga trajneri Kostiç. Pritet edhe një portier kroato-zviceran

Gëzim Beqiri

Luftëtari, siç është thënë shpesh ditët e fundit, i ngjan një kantieri ndërtimi. Fillimi i javës pritej të sillte të reja në ekipin, që po përgatitet për pjesëmarrjen për herë të parë në Europa League, por me grupin është bashkuar vetëm një lojtar i ri. Bëhet fjalë për Rikardo Travaljo Morales nga Venezuela, i cili ka zhvilluar seancën e parë me Luftëtarin dhe do të testohet disa ditë nga trajneri Millosh Kostiç.

Përshtypjet e para për lojtarin nga Venezuela janë pozitive, por i takon stafit teknik të vendosë, nëse ai vlen apo jo për Luftëtarin. Nga sa mësohet, mesfushori i ri është provuar më parë te Skënderbeu, ku nuk mundi ta kalonte klasën.

PORTA – Për portën ka dalë në skenë emri i Hërvoje Bukovskit, madje thuhet se ka një marrëveshje paraprake me të, që në klubin gjirokastrite nuk e konfirmojnë. Bukovski, 26 vjeç, ka lindur në Zvicër, por është me origjinë kroate. E ka nisur karrierën me Jang Bojsin në Zvicër dhe për dy sezone ka qenë pjesë e Vilit. Në fakt, nuk ka pasur ndonjë ecuri mbresëlënëse dhe sezonin e fundit ka luajtur për ekipin VfB Oldenburg, në kategoritë inferiore në Gjermani. Mbetet për tu parë se çfarë do të ndodhë me këtë portier, që pritet të vijë ndoshta që sot në qytetin e Gjirokastrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *